Zeqiri: UÇK-ja, krenaria jonë kombëtare

24 qershor 2020 | 23:55

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish i burgosuri, Sadik Zeqiri ka reaguar pas akuzave për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratikë të Kosovës, Kadri Veseli.

Zeqiri ka thënë se UÇK-ja bëri luftë të pastër dhe bashkë me aleatë të shumtë e çliroi popullin e Kosovës.

“Akuzat e Speciales ndaj UÇK-së, nëse jo njerëzit, Zoti e di kur do të ndalen. Por, një gjë dihet përjetë e mot, të paktën në trojet shqiptare e di kushdo: Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftë të pastër, luftoi dhe bashkë me aleatë të shumtë e çliroi popullin dhe Kosovën e shumëvuajtur. Sot dhe gjithmonë krenar me të kaluarën e UÇK-në dhe udhëheqësit e saj.UÇK-ja, krenaria jonë kombëtare”, ka shkuar Zeqiri në profilin e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Zeqirit:

UÇK-ja, krenaria jonë kombëtare

Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, kundërshtarët e Kosovës brenda dhe jashtë Kosovës e filluan gjahun kundër atyre që e formuan, e organizuan, e zhvilluan luftën dhe e çliruan vendin nga pushtuesi serb. Urrejtjen ndaj tyre, ndaj individëve dhe përgjithësisht ndaj UÇK-së, e vazhduan gjatë dhe nuk e ndalën as sot.

Sot, Gjykata Speciale, e cila, duam a nuk duam, donim a nuk donim, u formua sepse donin miqtë tanë dhe u votua nga të zgjedhurit tanë në Kuvendin e Kosovës, ngriti aktakuzë ndaj dy prej çlirimtarëve më të zotë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë jo pak respekt e jo pak detyra në shtet dhe në popull: njëri është president, shkëlqesia e tij Hashim Thaçi, ish-drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe bashkëluftëtari i tij i hershëm dhe i pandashëm, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Akuzat e Speciales ndaj UÇK-së, nëse jo njerëzit, Zoti e di kur do të ndalen. Por, një gjë dihet përjetë e mot, të paktën në trojet shqiptare e di kushdo: Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftë të pastër, luftoi dhe bashkë me aleatë të shumtë e çliroi popullin dhe Kosovën e shumëvuajtur. Sot dhe gjithmonë krenar me të kaluarën e UÇK-në dhe udhëheqësit e saj. UÇK-ja, krenaria jonë kombëtare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liverpooli merr fitoren e parë pas periudhës së pandemisë, duke…