Familja e presidentit Thaçi lëshon deklaratë për opinionin publik

26 qershor 2020 | 13:45

Familja e presidentit Hashim Thaçi përmes një deklarate për media kanë bërë me dije se ditët e fundit ka pasur interesim të jashtëzakonshëm të të afërmve të familjes, miqve dhe qytetarëve për t’i vizituar në shtëpinë e tyre në Burojë, në shenjë solidarizimi për momentet sfiduese nëpër të cilat po kalon kjo familje, pasi Prokuroria Speciale e Hagës ka njoftuar për aktakuzën kundër Hashim Thaçit.

“Jemi thellësisht mirënjohës për interesimin tuaj dhe për solidarizimin me ne si familje. Mirëpo, për shkak të pandemisë e kemi të pamundur që t’ju presim në shtëpinë tonë sipas nderit, traditës së familjes dhe të popullit tonë”, thuhet në deklaratën e familjes Thaçi në Burojë.

Letra e plotë:

Të nderuar familjarë, miq dhe bashkëkombës,

Ditët e fundit ka pasur interesim të jashtëzakonshëm të të afërmve të familjes, miqve dhe qytetarëve për të na vizituar në shtëpinë tonë në Burojë, në shenjë solidarizimi për momentet sfiduese nëpër të cilat po kalojmë.

Jemi thellësisht mirënjohës për interesimin tuaj dhe për solidarizimin me ne si familje. Mirëpo, për shkak të pandemisë e kemi të pamundur që t’ju presim në shtëpinë tonë sipas nderit, traditës së familjes dhe të popullit tonë.

Shëndeti juaj është shumë më i rëndësishëm se gjithçka tjetër!

Jemi falënderues përjetësisht për mbështetjen që keni treguar për më tepër se dy dekada për birin, babanë dhe vëllain tonë, presidentin Hashim Thaçi, i cili me gjithë qenien e tij ka punuar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, e as ta zhbëjë sakrificën e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Lavdi luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Ju faleminderit nga zemra për mbështetjen e vazhdueshme.

Me respekt,
Familja Thaçi
Burojë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieret e Kosovës, Donjeta Sadiku dhe Alnera Brahimi janë duke…