Në oborrin e bletëve të Isak Ukajt

28 qershor 2020 | 14:06

Bletari Isak Ukaj nga fshati Caravik i Komunës së Klinës me bletari merret që nga rinia. Sot është bletari më i madh në këtë komunë. Këtë kulturë të shtimit të shoqërive të bletëve e ka trashëguar nga babai, i cili i është vrarë në luftë nga serbët e i cili përkushtimin më të madh gjatë gjithë jetës ua ka kushtuar familjes dhe bletëve.

Edhe Isak Ukaj, njashtu si babai i vet, përkujdesjen për bletët e ka në radhë të parë. Ai, në një vizitë që i ka bërë ekipi i gazetës “Epoka e re”, ka treguar se sot ka 150 bletë, kurse është duke shtuar edhe rreth 50 të tjera këtë vit. Ukaj ka bërë me dije se kjo verë nuk ka qenë e bereqetshme për nxjerrjen e mjaltit, kurse në vitin e kaluar ka pasur raste që nga një koshere e bletëve kanë nxjerrë mbi 60 kilogramë mjaltë.

Ukaj ka treguar se Ministria e Bujqësisë i subvencionon bletarët nga 15 euro për një koshere, të cilat para i ndihmojnë paksa për mirëmbajtjen e bletëve gjatë dimrit, kur edhe krijohen shpenzime më të mëdha për to dhe përkujdesja është më e madhe.

Familja e Isak Ukajt shet mjaltë. “Shesim mjaltë, nga 15 euro kilogramin. Mjaltë origjinale. Mjaltë blete ushqyer në fusha, livadhe dhe bagremë”, ka treguar bletari Ukaj, i cili për mirëmbajtjen e bletëve ka kryer dhjetëra trajnime në Kosovë dhe jashtë saj.

Po ashtu, Ukaj nga mirëmbajtja e bletëve nxjerrë edhe dyllë, propolis, polen, qumësht të bletës, amëza dhe shet bletë te bletarët e rinj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Carlos Tevez po merr në konsideratë idenë për t’u tërhequr…