Tri infermiere në Klinikën e Pulmologjisë infektohen nga Covid-19

01 korrik 2020 | 11:15

Tri infermiere të Klinikës së Pulmologjisë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, ku gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

Në këtë klinikë që tashmë janë duke u trajtuar edhe rastet me koronavirus janë të shtrirë 22 pacientë pozitiv me këtë virus.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, ka thënë për “Kosovapress” ka treguar se gjendja e tri infermiereve që kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 është stabile.

Ajo ka thënë se prekja e infermierëve me koronavirus e vështirëson punën e stafit të klinikës, duke shtuar se janë duke u bërë përgatitjet e planit të punës në mënyrë që pacientët të marrin trajtimin e duhur.

“Tri infermiere i kemi të prekura me Covid-19. Kryeinfermierja e klinikës është ajo e cila bën menaxhimin e stafit të infermierëve dhe mund të them se është duke e planifikuar dhe duke e organizuar se si do të vijojë puna sa i përket stafit dhe normal që ka kërkuar edhe staf shtesë në mënyrë që të mund t’iu ofrojmë ndihmë të duhur pacientëve të cilët janë të shtrirë këtu në klinikë… Janë në gjendje shumë të mirë, fatmirësisht nuk kanë simptoma aspak, por janë testuar duke e pasur parasysh kontaktet të cilat i kemi dhe që të tria janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore”, ka thënë ajo.

Mehmeti ka folur edhe rreth kapaciteteve që kanë si klinikë, ku ka bërë me dije se Klinika e Pulmologjisë dhe ajo e Dermatovenerologjisë kanë rreth 100 shtretër, e që tashmë disa prej tyre janë në shërbim të pacientëve me Covid-19.

“Ne i kemi 68 shtretër, plus Klinika e Dermatovenerologjisë 32 shtretër, do të thotë përafërsisht 100 shtretër. Mirëpo, në qoftë se kemi raste të reja të cilat janë të dyshimta dhe ende nuk kemi rezultat atëherë ato raste e zënë nga një dhomë që do të thotë nëse janë 6 pacientë, 6 dhoma janë nga një pacient dhe menjëherë automatikisht më zvogëlohet numri. Ndërsa, rastet të cilat janë Covid-19 pozitiv ato mund t’i vendosim në një dhomë, ka dy, tri raste varësisht prej kapacitetit, varësisht prej numrit të cilët vijnë”, është shprehur Mehmeti.

Sa i përket punës së stafit mjekësor në këto ditë kur rastet me Covid-19 janë rritur, Mehmeti ka thënë se po kanë vështirësi, për çka ka kërkuar nga qytetarët që të bartin maskat dhe të ruajnë distancën në mënyrë që të mos ketë rritje të rasteve me COVID-19.

Numri total i rasteve pozitive në vendin tonë me Covid-19 është 2 mijë e 878, me gjithsej 51 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, ndërsa janë shëruar 1 mijë e 577 pacientë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 1 korrik Gjermania ka marrë përsipër presidencën gjashtëmujore të…