Gjatë javës në Mitrovicë fillojnë dëgjimet buxhetore për buxhetin 2021-2023
Drejtuar nga nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, të hënën është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të drejtorëve, ku janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i këtij bordi dhe drejtorive komunale.
Fillimisht, drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka njoftuar bordin lidhur me orarin e mbajtjes së dëgjimeve buxhetore për projektbuxhetin e komunës për vitin 2021-2023, me ç’rast ka thënë se janë organizuar gjithsej nëntë dëgjime, në të cilat do të marrin pjesë qytetarë, përfaqësues të OJQ-ve, shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve dhe grupeve tjera të interesat, të cilët do të kenë mundësinë të japin vërejtjet dhe propozimet e tyre që do të bëhet përpjekje të përfshihen në buxhet.
Ndërsa drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka njoftuar ekzekutivin se përgjatë vikendit inspektorët komunalë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë kryer kontrolle të shumta në lokalet e qytetit, me qëllim të respektimit të masave të vendosura nga niveli qendror për mbrojtje nga virusi Covid-19.
Gjithashtu, Bordi i drejtorëve ka diskutuar edhe një sërë temash që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve, ku ka pasur edhe propozime të ndryshme që kanë të bëjnë me rregullimin më të mirë të funksionimit në secilën drejtori dhe rritjen e kualitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.