Mbahet takim informues me temën “Mbështetja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”

10 korrik 2020 | 14:23

Zyra për Barazi Gjinore në bashkëpunim me OJQ “Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave”, kanë mbajtur takim informues me temën “Mbështetja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

Ky takim është mbajtur në Sallën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, ku ishin të pranishëm nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, zyrtarja për Barazi Gjinore, Besa Veseli, drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave, Kadire Tahiraj, zyrtari për Invalid të Luftës dhe kategori tjera, Zenel Hajdari, dhe asamblistet, Shkëndije Halimi, Valbone Sadiku dhe Xhyljeta Imeri, dhe pjesëmarrës tjerë.

Qëllimi i këtij takimi ishte rritja e ndërgjegjësimit të popullatës mbi dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, ndryshimin e percepcionit të popullatës së gjerë për këtë çështje, si dhe njoftimin rreth procesit të aplikimit për përfitimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Me këtë rast, nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, i përgëzoi të pranishmit për punën dhe ndihmën e ofruar ndaj viktimave të dhunës seksuale, duke thënë se përveç ndihmës financiare, duhet të arrihet edhe përmbushja shpirtërore, e kjo realizohet kur zbardhen çështjet dhe drejtësia vihet në vend.

Gjithashtu nënkryetari Mujka ka bërë apel tek mediat elektronike dhe të shkruara që të flitet sa më shumë për këtë çështje, në mënyrë që këto viktima të dhunës të mos ndihen të stigmatizuara dhe të etiketuar në këtë shoqëri.

Në fund të takimit janë shpërndarë edhe fletushka kundër dhunës në familje.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti Emergjent i Gjilanit për parandalimin e përhapjes dhe menaxhimin…