Thaçi sot në Hagë

13 korrik 2020 | 08:47

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot do të paraqitet në Hagë për intervistim, me ftesë të Prokurorit të Specializuar.

Kjo është hera e parë që publiku e di se një person është ftuar për intervistë, pasi qe kundër këtij personi tashmë është paraqitur aktakuza për shqyrtim.

Sidoqoftë, nuk dihet se në çfarë kapaciteti Thaçi ishte ftuar në këtë intervistë.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Më 29 qershor, Thaçi deklaroi se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

“Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

Pas propozimaktakuzës, Thaçi ka vizituar disa nga familjet e dëshmorëve, për ta dhënë mesazhin se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e çlirimtare.

Po ashtu, para nisjes për në Hagë, Thaçi të shtunën dhe të dielën ka bërë dy vizita mjaft domethënëse, te varri i komandantit legjendar i UÇK-së, Adem Jashari dhe te varri i simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi.

Kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka thënë se ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund t’i dënojë asnjë gjykatë, sepse janë vetë historia e Kosovës.

(M.Q /Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mesin e shumë kadetëve të rinj që diplomuan ditë…