![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/07/shkurt-7.jpg)
Abrashi: Së shpejti nisim procedurat për ndërtimin e transitit të Klinës
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kryesuesin e Kuvendit Komunal, Fadil Gashi dhe nënkryetarin e Besim Hoti, janë marrë vesh për vazhdimin e projekteve të parapara në këtë komunë.
Ministri Abrashi është zotuar se së shpejti do të shpallen procedurat për nisjen e ndërtimit të transitit të Klinës.
“Me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, u pajtuam që së shpejti Ministria e Infrastrukturës do t’i nisë procedurat për ndërtimin e rrugës së transitit të Klinës. Kjo rrugë do të shërbejë për shkarkimin e qytetit të Klinës nga numri i madh i veturave dhe lidhjen më të mirë me qytetet përreth”, ka thënë ministri Abrashi.
Ndërsa kryetari i Klinës e ka falënderuar ministrin për mbështetjen dhe vazhdimin e projekteve në këtë komunë, duke e vlerësuar shumë të rëndësishëm ndërtimin e transitit të Klinës.
Kryetari Elezaj ka thënë se rruga transitore që parashihet do ta shkarkonte qytetin e Klinës nga komunikacioni i dendur i të gjitha llojeve të automjeteve.
(A.M / Epoka e re)