Tetë mjekë anesteziologë të QKUK-së janë të infektuar me Covid-19

22 korrik 2020 | 13:51

Në Kosovë, në mesin e punonjësve shëndetësorë që janë infektuar me koronavirusin e ri, bëjnë pjesë edhe 8 mjekë anesteziologë dhe 30 infermierë të Klinikës së anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Nehat Baftiu, drejtor i klinikës së anesteziologjisë në QKUK , i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se ky profil i punonjësve shëndetësorë janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët e infektuar, andaj sipas tij, kjo është arsyeja e numrit të lartë të anesteziologëve, por edhe infermierëve të infektuar me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen Covid-19.

“I gjithë stafi i anesteziologjisë dhe mjekimit intenziv duhet me qenë afër fytyrës së pacientit, dhe normalisht që janë infektuar në vendin e punës. Puna me intervenimet jo urgjente është ndalur dhe jemi orientuar tek pacientët me Covid-19, në katër klinika: në infektive, mjekësinë sportive, mjekimin intensiv qendror dhe të tjera, ku po trajtohen pacientët me Covid-19”, ka thënë Baftiu.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës si dhe të gjitha spitalet rajonale në vazhdimësi gjatë viteve të fundit janë përballur me mungesë të anesteziologëve.

Më 1 korrik, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se “infektimi i një numri të lartë të personelit shëndetësor, mund të paraqesë sfidë serioze në trajtimin adekuat të pacientëve”.

Në Kosovë në mesin e të infektuarve me koronavirusin e ri janë edhe rreth 500 profesionistë shëndetësorë, 160 prej të cilëve janë mjekë.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka bërë me dije se situata aktuale është mjaft alarmante, pasi siç ka thënë ai, numri i stafit brenda sistemit publik shëndetësorë, është më i ulët sesa nevojat që kanë klinikat që po trajtojnë pacientët me Covid-19.

“Situata po ndryshon nga dita në ditë. Janë deri në 500 punëtorë shëndetësorë të infektuar. Ne kemi pritur që të punësohen mjekë e infermierë të rinj, në mënyrë që sistemi të mos kolapsojë. Në të kundërtën nëse situata vazhdon kështu, dhe vazhdon infektimi i punëtorëve shëndetësorë – dhe tashmë kemi edhe një rast të vdekjes së mjekut – atëherë do të kemi telashe”, ka thënë Syla.

Të martën, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme rajonale po trajtohen 541 pacientë, prej të cilëve 291 janë raste të konfirmuara me Covid-19, ndërsa 250 ende janë të pritje të konfirmimit.

Në njoftim është theksuar se në trajtim me respiratorë janë 16 raste ndërsa me oksigjenoterapi 295 pacientë.

Që nga mesi i muajit mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 6 045.

Raste aktive me koronavirusin e ri aktualisht janë 2 675.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar 10-vjetorin e dhënies…