Mustafa: Përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës

26 korrik 2020 | 16:23

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka vlerësuar se përgjegjësia për dialogun me Serbinë bie mbi koalicionin qeverisës, ndërsa pronësia e këtij procesi i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe asnjë subjekti veç e veç.

Ai ka treguar se sot ka pasur një bisedë telefonike me Skender Hyseni, Koordinator Shtetëror për dialog, të cilit i ka shprehur përkrahjen tij dhe të LDK-së për kursin se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, jashtë marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në procesin e dialogut me Serbinë duhet të përkrahen institucionet e Kosovës.

Postimi i plotë i Mustafës:

Të nderuar qytetarë

Sot kisha një bisedë telefonike me z. Skender Hyseni, Koordinator Shtetëror për dialog. Shpreha përkrahjen time dhe të LDK-së për kursin se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, jashtë marrëveshjes gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke. Se dialogu është krejtësisht politik dhe rezulton me marrëveshje politike ndërshtetërore për njohje reciproke.

Po ashtu është për tu vlerësuar deklarimi i qartë nga takimi i Koordinatorit Shtetëror, z. Hyseni me z. Philip Reeker, Asistent Sekretar Kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan te Shtetit, që dëshmon përkushtimin dhe rolin aktiv të SHBA-së në procesin e dialogut.

Në këtë proces duhet dhënë përkrahje të fuqishme Kryeministrit Hoti, Qeverisë, Presidentit si dhe të gjithë mekanizmave shtetëror që e qojnë përpara këtë dialog politik. Përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës, ndërkaq pronësia e dialogut i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe asnjë subjekti veç e veç.

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i ka shprehur ngushëllime familjes…