Lule gjigande në Madrid, ideja e artistit Petrit Halilaj

28 korrik 2020 | 10:59

Zambakë, lulekuqe dhe karafila në përmasa të mëdha janë punimet e artistit kosovar Petrit Halilaj, të cilat do të lulëzojnë në serën Liberty të Palacio de Cristal.

Artisti kosovar, Petrit Halila, ka hapur në Madrid të Spanjës ekspozitën e tij personale “Një korb dhe uraganët që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar”.

Pas mbylljes së detyruar për shkak të izolimit, ekspozita e re e organizuar në Madrid ka “lulëzuar” vendin. Kjo është ekspozita solo e artistit kosovar Petrit Halilaj, i cili e mbushi Palacio de Cristal me lulet e tij gjigande.

Instalacioni personifikon një turmë e cila kërkon një fole të madhe, dhe kjo fole përbëhet nga degë dhe sytha të mëdhenj qershie, karafila, zambakë dhe lulekuqe që, me ngjyrat e tyre të ndritshme, tërheqin vizitorët në brendësi të ndërtesës spektakolare prej hekuri dhe qelqi.

Sera ka dhe vende të hapura nga ku mund të hyjnë zogjtë për t’u ushqyer me farat e lëna në dispozicion për ta, hapësira e lënë për zogjtë nënkupton lirinë për të lëvizur.

Artisti Halilaj nëpërmjet kësaj vepre ka përcjell situatën e vështirë politiko-kulturore të Kosovës, si një reflektim mbi konceptet e shtëpisë, kombit dhe identitetit, por është edhe një festë e dashurisë universale dhe pa kufij. Pa dyshim, artisti ka mundur të krijojë një mjedis unik dhe emocionues.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë shpallur fituesit e edicionit të trembëdhjetë të iPhone Photography…