Hajdari: Gjilani do ta prezantojë denjësisht Kosovën në Ligën e Evropës

28 korrik 2020 | 13:51

Fiton Hajdari ka thënë për “Epokën e re” se e ka merituar titullin e kampionit në IPKO Superligë. Ai beson se ky klub do ta prezantojë Kosovën në mënyrën më të mirë në garat parakualifikuese të Ligës së Evropës.

Skuadra e Gjilanit e mbylli edicionin 2019/2020 në pozitën e dytë, e cila e dërgon në garat evropiane. Fiton Hajdari për “Epokën e re” ka thënë se ky sukses është arritur më shumë sakrificë. “Kampionatin e përfunduam në vendin e dytë dhe normalisht se jemi të kënaqur me këtë pozitë dhe rezultatet dhe paraqitjet që i kemi treguar gjatë këtij kampionati. Ka qenë një kampionat mjaft i fortë, ku shumë skuadra luftuan për pozitat e para, por ne me shumë sakrificë kemi arritur të dalim nënkampion dhe ta sigurojmë daljen në Evropë”, ka thënë Hajdari, i cili më pas ka treguar pse Gjilani nuk arriti të shpallet kampion i Superligës.

“Kanë qenë shumë faktorë jashtë fushës që ndikuan që Gjilani mos të shpallet kampion”, ka shtuar ai.

Futbollisti që ishte ndër më të mirët jo vetëm në skuadrën e Gjilanit, por në mbarë Superligën, Fiton Hajdari, ka shprehur optimizëm se gjilanasit do ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrë dinjitoze në Ligën e Evropës. “Është hera e parë në historinë e Gjilanit që merr pjesë në garat evropiane dhe normalisht se është diçka e veçantë. Kam besim të madh se ky klub do ta përfaqësojë Kosovën në mënyrën më të mirë në Ligën e Evropës”, ka thënë Hajdari.

Futbollisti me tipare sulmuese do të marrë pjesë për herë të dytë në garat ndërkombëtare, pasi një gjë të tillë e kishte bërë vite me parë kur Trepça ’89 mori pjesë në garat e Ligës së Kampionëve.

Hajdari ndihet i lumtur që sërish ka mundësinë të paraqitet në garat evropiane dhe beson se Gjilani do të prezantohet mirë. “Është hera e dytë që marr pjesë në garat ndërkombëtare. Herën e parë ishte shumë e veçantë pasi ishte hera e parë në historinë e futbollit të Kosovës që klubet merrnin pjesë në garat ndërkombëtare dhe emocionet ishin më ndryshe. Tash kam përvojë më të madhe dhe do të përpiqemi të paraqitemi sa më mirë dhe të arrijmë sa më lart që është e mundur”, ka deklaruar ai.

Në fund Hajdari ka bërë me dije se kontrata me skuadrën e Gjilanit i ka përfunduar, por nuk e përjashton mundësinë që të mbetet pjesë e këtij klubi edhe në sezonin e ri. “Kontrata më ka mbaruar, por kemi filluar bisedimet me Gjilanin dhe mbetet të shihet se a do të arrijmë marrëveshje bashkëpunimi edhe për të ardhmen”, ka deklaruar Hajdari.

 

(Veton ZYMBERI)  

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka vizituar komunën…