Vdes vëllai i presidentit Donald Trump
Robert Trump, vëllai i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndërruar jetë të shtunën në moshën 71-vjeçare.
“Me zemër të thyer ju njoftoj se ka ndërruar jetë vëllai im i mrekullueshëm, Robert”, tha presidenti Trump përmes një njoftimi.
“Ai nuk ishte vetëm vëllai im, por edhe miku im i ngushtë. Kujtimi për të do të jetojë në zemrën time përgjithmonë. Prehu në paqe”, thuhet në njoftimin e presidentit.
Trump kishte vizituar vëllaun e tij në një spital në Nju Jork më 14 gusht, pasi ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Presidenti kishte një raport mjaft të ngushtë me vëllaun e tij të vogël, përkundër personaliteteve të ndryshme.
Robert Trump kishte lindur më 1948 dhe ishte fëmija më i vogël në mesin e 5 fëmijëve të biznesmenit të patundshmërisë Fred Trump. Robert Trump kishte nisur karrierën në Wall Street, duke iu bashkuar më vonë Organizatës Trump si drejtues ekzekutiv./rel/