Do ta mbrojmë titullin në Premier Ligë

16 gusht 2020 | 15:52

Futbollisti shqiptar Xherdan Shaqiri është i gatshëm t’i ndihmojë Liverpoolit ta mbrojë titullin e fituar këtë sezon pas plot 30 vjetëve. Anësori nga Gjilani ka përvojë në mbrojtjen e titujve të ligës dhe është i sigurt se Liverpooli e ka etjen e nevojshme për ta fituar titullin edhe në sezonin 2020/21. Shaqiri kishte fituar tituj të ligës radhazi në Gjermani me Bayern Munich dhe në Zvicër me Baselin.

“Të gjithë jemi të ngazëllyer dhe duam ta përsërisim sezonin që e patëm edicionin e kaluar. Është e vështirë por ne do të tentojmë të arrijmë shumë gjëra përsëri dhe të fitojmë shumë ndeshje”, ka thënë Shaqiri.

“Ne kemi aftësi për këtë, sepse e kemi një ekip i cili është akoma i etur dhe dëshiron të fitojë shumë tituj”, ka shtuar 28-vjeçari.

Shaqiri shpreson se sezoni i ri do të jetë më fatlum për të dhe se do ta lejojë ta japë kontributin e vet në fushë. “Nëse je i lënduar apo nëse nuk luan, gjithmonë zemërohesh. Por unë mezi pres që të nisë ky sezon dhe ta ndihmoj ekipin gjatë gjithë kohës, në mënyrë që të kem mundësi të luajë si në sezonin e parë”, ka deklaruar Shaqiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brooklyn Beckham dhe e fejuara e tij Nicola Peltz duket…