Shoqata e Sigurimeve të Kosovës sqarohet rreth afatit për policën e sigurimit

17 gusht 2020 | 16:53

Afati i 17 gushtit që ishte publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për regjistrim të automjeteve, kishte të bënte me policën e sigurimit për automjete dhe jo për regjistrimin e automjeteve.

Kështu ka  thënë për “KP”, drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, sipas të cilit bëhet fjalë për një keqkuptim kur bëhet fjalë për policën e sigurimit dhe regjistrimin e automjeteve.

Mazreku ka thënë se nga nesër, të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi ose nuk kanë dashur ta vazhdojnë regjistrimin, do të obligohen që policën e sigurimit ta marrin nga fillimi.

“Këtu ka nevojë për një sqarim, për shkak se nuk është kuptuar mirë pse është data 17. Më 16 mars, për herë të parë janë mbyllur qendrat e regjistrimit. Në po të njëjtën ditë, ne i kemi kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme që, nenin e një udhëzimi që është për procedurën e regjistrimit të automjeteve, i cili parasheh se çdo regjistrim i ri kur bëhet polica nuk duhet lëshuar më shumë se 5 ditë, ne kemi kërkuar që ky nen të pezullohet, sepse nuk e kemi ditur se sa zgjatë pandemia. Sipas vendimit që ka marrë tash Ministria e Punëve të Brendshme, i bie se këtij vendimi po i vjen fundi. Gjithë ata qytetarë që pas datës 17 mars kanë dalë në trafik, sepse siç e dini, kemi bërë thirrje që minimalisht mos të dalin në trafik pa sigurim, sepse dëmet që shkaktojnë duhet paguar, këtij vendimi po i vjen fundi, faktikisht sot më datën 17 gusht”, ka thënë Mazreku, duke shtuar se ata që i kanë përfunduar procedurat edhe pse polica është me e gjatë se 5 ditë, Ministria e Punëve të Brendshme i pranon, kurse nga data e nesërme, ata që nuk kanë pasur mundësi ose nuk kanë dashur ta vazhdojnë regjistrimin, do të obligohen në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme që policën e sigurimit ta marrin nga fillimi.

Mazreku ka thënë se pronarët e automjeteve nuk do ta humbin pjesën tjetër të sigurimit, pasi që ajo do t’iu kthehet, por kurdo që e marrin policën, ata do të obligohen që brenda pesë ditëve të kryejnë procedurat e regjistrimit.

“Pjesa e mbetur e sigurimit iu kthehet qytetarëve, por ata kanë për obligim që kurdo që e marrin policën brenda 5 ditëve t’i përfundojnë procedurat në qendrat e regjistrimit. Ky është dallimi që qytetarët duhet ta dinë. Nëse nesër më 18 gusht, ndonjërit nuk i pranohet polica e sigurimit, kjo nuk do të thotë që për pjesën e mbetur që ka mbetur komplet për 1 vjet, për pjesën e mbetur të pa shfrytëzuar, normal që kompania e sigurimit ia kthen pjesën e mbetur. Është një lloj komplikimi procedural, por te pjesa e sigurimeve nuk ka problem”, ka thënë Mazreku.

Sa i përket shumës që ka paguar shoqata e sigurimeve për dëme, edhe pse në kohë pandemie, ai ka thënë se këtë vit janë shifra rekorde.

“Edhe pse në kohë pandemie, sektori ka thyer rekord në pagesën e dëmeve, që nënkupton se më shumë se 50% e të hyrave për 6-mujorin e parë kanë shkuar direkt në pagesën e dëmeve. Është një kërkese e Bankës Qendrore, që sektori sa më shumë të paguajë dëme. Ne jemi në atë rrugë dhe brenda mundësive financiare dhe kërkesës ligjore të Bankës Qendrore, ta çojmë deri në fund edhe pse në kohe pandemi, kur të hyrat në 6-mujorin e parë kanë ra minus 33% të hyrat vjetore, e në anën tjetër kemi thyer rekord të dëmeve”, ka thënë Mazreku.

Mazreku tha se në periudhën janar-maj, janë vetëm 268 aksidente më pak.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme, ka njoftuar qytetarët e Kosovës se pronarët e mjeteve të cilët nuk i kanë vazhduar regjistrimet e mjeteve, duhet ta përmbushin detyrimin e tyre deri më 17 gusht 2020.

Pronarët e mjeteve, të cilët nuk i kanë vazhduar regjistrimet e mjeteve apo nuk i kanë regjistruar mjetet e tyre për shkak të situatës së krijuar me koronavirus, do të duhet ta bëjnë këtë deri më datën 17 gusht.

MPB ka bërë me dije se vetëm deri me këtë datë vlen polica e sigurimit dhe certifikata mbi konfirmimin e rregullsisë teknike të mjetit, pavarësisht afatit kohor.

Pas kësaj date, detyrohen ta dorëzojnë policen e re të sigurimit, që nuk duhet të jetë më e vjetër se pesë ditë nga data e lëshimit dhe certifikatën e re mbi konfirmimin e rregullsisë teknike të mjetit, që nuk duhet të jetë më e vjetër se 30 ditë nga data e lëshimit. Për zbatimin e këtij afati do të kujdeset Policia e Kosovës.

Të gjitha llojet e regjistrimit të mjeteve mund të behën në secilën Qendër për Regjistrimin e Mjeteve të rajonit përkatës, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit të pronarit të mjetit./ KP

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASh), Ramë Likaj, ka vizituar…