Mbahet diskutim për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor

18 gusht 2020 | 17:10

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka organizuar të martën një takim ku kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisë, Ministrisë së Arsimit, drejtorët e DKA-ve, përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës, SBAShK-ut dhe Këshillit të Prindërve të Kosovës, e ku është diskutuar për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 dhe për përgatitjet që janë bërë për mbajtjen e Testit të Maturës.

Me këtë rast, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri ka theksuar se qeveria duhet të marrë një vendim i cili do të jetë ekzekutiv dhe për gjithë sektorin e arsimit, si dhe duhet të miratohet një masterplan për tri opsionet e propozuara, ndërsa në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike të vendosen parametrat për mbështetjen financiare të këtij sektori.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka falënderuar drejtorët e DKA-ve dhe të gjithë akterët tjerë që kanë dhënë kontribut të madh për hartimin e një masterplani për fillimin e vitit të ri shkollor dhe të dokumenteve tjera të rëndësishme për fillimin e procesit mësimor më 1 shtator.

Likaj ka theksuar se po bëhen të gjitha përgatitjet për t’iu përgjigjur tri opsioneve për fillimin e vitit shkollor, megjithatë ai kërkoi që vendimi përfundimtar të merret nga Qeveria e Kosovës, kërkesë e cila u përkrah edhe nga drejtorët e DKA-ve.

Ministri Likaj ka përmendur koston e lartë në këtë drejtim, ndërsa ka theksuar se përveç propozimit për buxhet për pako mbështetëse financiare nga qeveria, do të shikohen edhe mundësitë brenda buxhetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në mënyrë që të përkrahen komunat. Po ashtu, ai ka theksuar se duhet të shikohen mundësitë për thjeshtësim të procedurave të prokurimit, në mënyrë që të ketë përgjigje më të shpejtë konform situatës epidemiologjike.

Në këtë takim, u vendos që të mbahet edhe një takim javën që vjen dhe të merren vendime të përbashkëta në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor, të cilat më pas do t’i paraqiten Qeverisë së Kosovës për miratim.

Gjatë takimit u diskutua edhe për organizimin e Testit të Maturës, për të cilin u tha se janë bërë të gjitha përgatitjet si nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, po ashtu edhe nga komunat, në mënyrë që testi të mbahet më 29 gusht 2020, duke i respektuar të gjitha rekomandimet e IKShP dhe Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtje nga Covid-19.

(Qendresa RAMA /Epoka e re) 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
UEFA ka publikuar formacionet zyrtare për ndeshjen parakualifikuese për Ligën…