FBK-ja përkrah kampanjën ‘Her World, Her Rules’

19 gusht 2020 | 12:13

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) përkrah kampanjën e FIBA Europe, “Her World, Her Rules”. Drejtuesit më të lartë të FBK-së me anë të një fushate do ta shprehin përkrahjen për këtë kampanjë, që është shumë e rëndësishme për basketbollin e Kosovës, veçanërisht të femrave.

Në kuadër të kësaj fushate, drejtuesit e FBK-së, trajnerët dhe basketbollistët e Kosovës do të tregojnë se e përkrahin kampanjën “Her World, Her Rules” dhe ofrojnë mbështetjen e nevojshme për të kontribuar në zhvillimin e basketbollit të femrave në Kosovë.

Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, ka treguar përkrahjen e tij për këtë kampanjë, derisa në ditët në vazhdim fushata do të vazhdohet edhe nga drejtuesit e FBK-së, trajnerët dhe basketbollistët. “Her World, Her Rules” është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Europe që ka për qëllim ta promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale.

“Federata e Basketbollit e Kosovës është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program tash e dy vjet dhe është duke e implementuar me mjaft sukses këtë projekt, ku FIBA Evropa, pas evaluimit të vitit të parë të projektit të FBK-së, ka vendosur që ta vazhdojë mbështetjen edhe për një vit tjetër për FBK-në, e cila ka arritur ta rrisë numrin e vajzave të reja që e praktikojnë basketbollin, njëkohësisht duke e rritur edhe numrin e klubeve të femrave. Federata e Basketbollit është e vendosur që të punojë në masivizimin e basketbollit femëror dhe mbështetja nga FIBA Evropa nëpërmjet projekteve të tilla si FIBA Europe Girls Program dhe kampanja ‘Her World, Her Rules’ është rruga e duhur për të arritur këtë qëllim”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

 

(V.Z / Epoka e re)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka shprehur mirënjohje për mjekët…