Familja Ukaj fal gjakun e vëllait të vrarë 31 vjet më parë
Familja e heroit, Ismet Ukaj nga Strellci i Epërm i Deçanit në ditën kur u zbulua shtatorja e tij ia ka falur gjakun e vëllait të vrarë 31 vjet më parë, familjes Zenelaj.
Haki Ukaj, vëllai i heroit, ka deklaruar e këtë akt po e bëjnë për të nderuar gjithë popullin shqiptar, Ushtrinë Çlirimtarë të Kosovës dhe të gjithë dëshmorët e rënë.
“Ne familja Ukaj e kemi vendosur sot me ia fal gjakun familjes Zenelaj, gjakun e vëllait që na është vrarë para 31 viteve. E kemi bërë këtë gjest në emër të gjithë popullit shqiptar, në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çdo dëshmori”, ka deklaruar Ukaj.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili faljen e gjakut nga familja Ukaj e cilësoi si një veprim që tregon se populli shqiptar ka vlera dhe mund të ecë përpara.
“Se shqiptarët jemi popull me vlera e dëshmon ky moment, momenti kur nëna Sabrije, nëna e Ismetit heroit të Kosovës dhe gjithë familja e ndërmarrin një vepër kaq fisnike dhe e falin gjakun e djalit të vet. E falin për të nderuar këtë tokë atdheun që e kanë ujit shumë njerëz të zotë”, ka thwnw Haradinaj. /Kp/