Hoti: Kam kërkuar nga opozita ta dërgojë një përfaqësues për takimin në Shtëpinë e Bardhë

26 gusht 2020 | 17:41

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, në një konferencë për media mbajtur të mërkurën, ka thënë se kanë një pajtim me partnerët e koalicionit qeverisës për takimin e së enjtes në Bruksel.

Ai ka thënë se në takimin në Bruksel do të flitet për fazën e njohjes finale.

“Ju e dini se kemi një pajtim me partnerët e koalicionit, që dialogun e bëjmë për njohje reciproke. Nesër diskutimet janë në fazën për njohje finale. Nesër do të diskutojmë për çështje ekonomike”, ka thënë Hoti.

Po ashtu, kryeministri Hoti është pyetur edhe për delegacionin e Kosovës që do të udhëtojë për në ShBA.

Me këtë rast, ai tha se është duke u finalizuar edhe delegacioni që do të marrë pjesë atje, i cili kryesohet nga kryeministri, në bazë të kompetencave kushtetuese që ka. Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se do të tentojë që në delegacion të përfshihen të gjithë, pa përjashtim, sepse kjo çështje është e rëndësisë më të lartë shtetërore, një takim që është pritur tash e sa kohë në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë sot kam dërguar letër edhe te partitë opozitare që t’i propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë delegacion të Qeverisë së Kosovës në takimin në Shtëpinë e Bardhë, pastaj në takimin e ardhshëm të paraparë në fillim të shtatorit në Bruksel”, ka treguar kryeministri Hoti, duke shtuar se është i hapur për të krijuar një ekip gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike pa përjashtim, duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj teme, por duke mos i bartur kompetencat kushtetuese, por duke i ushtruar ato ashtu siç janë të parapara në Kushtetutë.

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka mbajtur një takim virtual…