Bekaj, pas transferimit te Tirana: Nuk i ndërrova ngjyrat për të cilat ndihem krenar

31 gusht 2020 | 11:19

Portieri i Kosovës, Visa Bekaj, ka nënshkruar kontratë trevjeçare me skuadrën e Tiranës.

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Visar Bekaj, e ka kompletuar transferimin në skuadrën e Tiranës. Bekaj, që është formuar në skuadrën e Prishtinës, vendosi që në këtë afat kalimtar të largohet nga futbolli i Kosovës dhe të transferohet në Shqipëri, duke nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin nga kryeqyteti. “Visar Bekaj është afrimi më i ri i Tiranës në këtë merkato. Klubi ka arritur blerjen e kartonit të portierit të suksesshëm të Prishtinës. Me një karrierë të pasur brenda IPKO Superligës së Kosovës, si dhe portier i Përfaqësueses së Kosovës, 23-vjeçari tashmë është një element kyç në përbërjen e skuadrës dhe vjen si gardiani i portës bardheblu për tre vjetët e ardhshëm. I bindur se do ta japë maksimumin për fanellën e re që do të mbajë veshur, Bekaj bëhet pjesë e ekipit më të madh dhe më të titulluar në vend”, thuhet në njoftimin e Tiranës.

Portieri që ka qenë kapiten i Prishtinës në të kaluarën, derisa në edicionin e fundit ishte zëvendëskapiten, ka thënë se do të përpiqet që gjithmonë t’i përfaqësojë denjësisht vlerat e larta kulturore e sportive të qytetit, ndërsa ndihet krenar që nuk i ka ndërruar ngjyrat e klubit.

“Falënderoj klubin e zemrës FC Prishtina për gjithë kontributin në zhvillim dhe për promovimin tim profesional, në veçanti menaxhmentin e klubit, stafin teknik dhe bashkëlojtarët. Falënderim të jashtëzakonshëm për tifo-grupin ‘Plisat’, me të cilin jam i lidhur ngushtë dhe i respektoj maksimalisht. Ju siguroj se do të vazhdoj t’i përfaqësoj denjësisht vlerat e larta kulturore e sportive të qytetit tim, si dhe të klubit ku u rrita. Do të vazhdoj ende ta mbaj veshur fanellën bardh e blu, pa i ndërruar ngjyrat për të cilat ndihem krenar”, ka thënë Bekaj për faqen zyrtare të Prishtinës.

(V.Z /Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Kudusi LAMA Duke lexuar pikat 105, 106, 107, kuptoj…