KMDLNj kritikon SBAShK-un: Mos i merr përgjegjësitë e MASh-it

31 gusht 2020 | 14:40

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kritikuar Sindikatën e  Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës(SBAShK), e cila ka kërkuar që të shtyhet fillimi i vitit shkollor.

Në reagimin për medie, këshilli ka vlerësuar se SBAShK-u nuk mund të ketë përgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila vendos për fillimit e vitit shkollor.  “Është bërë si rregull që në çdo fillim të vitit shkollor, SBASHK-u të dalë me kërkesa që  jo rrallë herë e kanë formën dhe përmbajtjen e shantazhimit klasik e që është e dënueshme me ligjet në fuqi në Kosovë dhe duke i vënë ultimtatum Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e këtyre kërkesave e që jo gjithmonë janë në fushëveprimin sindikalist”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, kjo sindikatë asnjëherë nuk ka konsideruar kërkesat e prindërve. “Në këtë mënyrë SBASHK-u përmes disa udhëheqësve e ruan kondicionin sikur që e riciklojnë protagonizmin personal e jo sindikal. KMDLNj ka reaguar disa herë kundër këtyre kushtëzimeve të SBAShK-ut të cilët botërisht kanë deklaruar se ata kujdesen dhe mbrojnë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët dhe se nuk është përgjegjësi e tyre të kujdesen për përmirësimin e kushteve për nxënës, përmirësimin e procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies apo sigurimin e fondeve për nxënës me gjendje të rënduar materiale”, ka vlerësuar KMDLNj-ja, duke shtuar se kjo sindikatë çdo herë ka menduar vetëm për aspektin material.

“SBASHK-u arriti që për një kohë të paralizojë krejtësisht procesin arsimor, i motivuar kryesisht materialisht e që jashtëzakonisht e ka dëmtuar procesin arsimor. SBASHK-u asnjëherë nuk ka konsideruar seriozisht kërkesat e prindërve të artikuluara përmes Këshillit të Prindërve por ka insistuar në rritjen e pagave duke koketuar me parti të ndryshme politike të cilave ju ka premtuar përkrahje publike dhe vota klienteliste përmes nënshkrimit të marrëveshjeve e që është në kundërshtim të plotë me mandatin e SBASHK-ut”, është thënë në reagim.

 

KMDLNj-ja ka dalë kundër kërkesës së SBAShK-ut për shtyrje të fillimit të vitit shkollor. “Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, kemi pasur një ndërprerje të procesit mësimor në të gjitha nivelet dhe përcjellja e mësimit nga shtëpia lirisht mund të llogaritet si proces apo përpjekje e dështuar. Tash kur Ministria e Arsimit , në përputhje me rekomandimet e ISHPK ka marrë vendim fillimisht që procesi mësimor të fillojë me një shtator e që pastaj ka vendosur, për arsye objektive dhe subjektive të shtyjë për 14 ditë, SBASHK -u deklaron se procesi mësimor , nëse SBASHK-u konsideron se nuk janë plotësuar kushtet mund të shtyhet për një kohë tjetër dhe në këtë mënyrë i merr përgjegjësitë që nuk i takojnë por që janë përgjegjësi e MASHT-it sikur që del edhe kundër rekomandimeve të ISHPK -së”, është thënë ndër të tjera në reagimin e KMDLNj-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tirana ka pasur shumë fat në shortin e sotëm në…