Pompeo: SHBA do të ofrojë mbështetje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pritur në takim nga Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo me të cilin kanë diskutuar edhe për mbështetjen që SHBA-të do t’i japin Kosovës në procesin e dialogut.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga kryeministria.
Në këtë komunikatë thuhet se “Sekretari Pompeo e ka uruar kryeministrin Hoti për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, marrëveshje kjo që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump”.
Po ashtu, Hoti në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës, ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës.
Duke vlerësuar rëndësinë që ka marrëveshja e arritur sot në Shtëpinë e Bardhë, gjatë këtij takimi kryeministri i Kosovës ka potencuar gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve.
“Kryeministri Hoti, me këtë rast, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, në procesin e integrimeve europiane dhe euroatlantike. Ndërsa, sekretari Pompeo theksoi gatishmërinë e SHBA-ve për të mbështetur Kosovën në procesin e dialogut dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” thuhet në komunikatë. /