KRIZA JONË E LEXIMIT

07 shtator 2020 | 17:51

Lulëzim ETEMAJ

“Në libra ka më shumë thesar sesa pre piratësh në Ishullin e Thesarit … dhe më e mira nga të gjitha, ju mund ta shijoni atë pasuri çdo ditë të jetës suaj” / Walt Disney

Nuk mund të jetë ndryshe pozicioni i librit në një shoqëri të caktuar të një vendi, nëse leximi është në krizë. Janë faktorë të shumtë që e determinojnë krizën e leximit. Faktori social, faktori kulturor dhe ai ekonomik, janë disa prej tyre. Është interesant se si temë, për aq sa unë kam informacione, kriza e leximit nuk ka paraqitur deri më tani ndonjë prioritet për studim serioz as nga persona të fushave të caktuara profesionale dhe as nga ndonjë institucion relevant. Prandaj, përveç ndonjë ankese ditore, të publikuar në media të shtypura, elektronike apo sociale, mungojnë studimet shkencore. Në mungesë të tyre, mungojnë edhe projektet dhe strategjitë se si të përmirësohet kjo gjendje.

Për t’iu shmangur konstatimit ekstrem unë kam mendimin se një shoqëri, ku leximi, më i miri ushqim për trurin, është në krizë, i ekspozohet rrezikut të stërkeqjes dhe huqjes së zhvillimit të shëndetshëm.

Në një situatë të tillë është çështje kohe se sa mund të qëndrojnë në këmbë, të kenë vullnetin për të shkruar dhe botuar edhe më tej krijuesit, njerëzit e letrave, siç i quajmë herë pas here.

Demotivim shtesë për ta është edhe qëndrimi i librarive dhe trajtimi që ata e gëzojnë prej tyre. Pjesa dërrmuese e librarive, jo vetëm në kryeqytet, Prishtinë, krahas taksës deri në 40 për qind (!!), që e marrin nga shitja e librit, nuk u përgjigjen kurrë krijuesve për t’ua paguar pjesën tjetër të çmimit nga shitja e librit. Dhe, po ndodhi e ua kërkuan, shikohen çuditshëm prej tyre. Vështirë të ketë një krijues të vetëm në Prishtinë që të mos e ketë përjetuar një trajtim të tillë fyes dhe degradues.

No description available.

Ky është një problem më tepër në kurriz të librit!

Mediat sociale; gjendja socioekonomike; situata politike. Në numërim të shpejtë, këta mund të jenë disa nga faktorët që ndikojnë në krizën e leximit. Porse, kjo është një qasje tepër optimiste. Sepse shqiptarët në kohë edhe më të liga, në çdo drejtim, posaçërisht të rinjtë – nxënësit dhe studentët, janë dalluar si për blerjen ashtu dhe për leximin e librave. Për rrjedhojë shumë prej tyre, në mungesë të zgjidhjeve të tjera, janë bërë anëtarë të rregullt të bibliotekave apo dhe kanë kursyer paratë nga ushqimi për të blerë ndonjë libër, ngritur dhe pasuruar bibliotekat personale.

Kriza e leximit është një problem i yni nacional. Një problem më tepër në radhën e problemeve të shumta të kombit tonë. Kushdo që ka një mendim tjetër, le ta pyes veten, në radhë të parë, pastaj të afërmit dhe miqtë, se cili është libri i fundit që e kanë lexuar. Apo kur kanë qenë për herë të fundit në një bibliotekë, pavarësisht rrethanave pandemike.

Kjo krizë nacionale kërkon qasje dhe trajtim shkencor të përshpejtuar jo vetëm nga ana e sociologëve. Në një gjendje të tillë, vrasja e mëtejme e kohës nga ana e tyre, përgjithësisht njerëzve të shkencës, duke qëndruar në media sociale, si “Facebook”, “Twitter”, “Instagram” etj., ku veprimtari kryesore e kanë urimin për ditëlindje të fëmijëve, hallave, tezeve, gjyshërve, bashkëshorteve apo bashkëshortëve, është më shumë sesa papërgjegjësi!

Përgjithësisht, si komb, jemi të pamposhtur sa i përket vrasjes së kohës në media sociale. Prandaj, për fat të keq, postimet budallaqe, përfshirë edhe pëlqimet (like-et) symbyllurazi, janë të pandalshme dhe të pafundme.

Leximi, pra librat, jo vetëm që na merr përdore nëpër botë të tjera, por na i bën me krahë edhe ëndrrat dhe hap horizonte të reja për jetësimin e tyre.

Leximi forcon shpirtin! thotë Volteri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
08.09.2020 Punime të domosdoshme për siguri te sistemit Prishtinë 1.…