LUFTË ABSURDE PËR KARRIGEN E ZËNË TË PRESIDENTIT

08 shtator 2020 | 16:06

Karrigia e presidentit është e zënë edhe kur formalisht është bosh, ngase në çdo variant në të e vendosin dikë që nuk e ka miratimin e popullit.

Milazim KRASNIQI

Shprehja podrimase “Lumi tue u shterë, njerëzit tue u mbytë” e shprehë shumë mirë gjendjen absurde që mbretëron në të gjithë jetën politike në Kosovë, veçmas lidhur me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Pra, kuptimi është se nëse një lumë ka pak ujë dhe po shteron, ndërsa njerëzit po mbyten edhe më shumë në të, kjo paraqet absurditet, paraqet budallallëkun e tyre. E, pra, në ditët kur Kosova është në ankth nga presionet e Gjykatës Speciale, e cila thjesht po ia merr frymën këtij vendi, në ditët kur pandemia po bën kërdi, në ditët kur qeveria po dridhet nga kalkulimet hileqare të partive të koalicionit, në ditët kur varfëria dhe mjerimi po shtohen, në ditët kur pozita ndërkombëtare e Kosovës është degraduar në diskutime për bashkëpunim ekonomik me Serbinë, debati kryesor po zhvillohet se kush do të ulet në karrigen e zënë të presidentit. Thënë thjesht, sa më shumë që shteti po e gërryen substancën e vet dhe po rrëshqet drejt dështimit, aq më shumë po ndizet lufta për pushtet, ngjashëm si në shprehjen “lumi tue u shterë, njerëzit tue u mbytë!”

 Aktorët e debatit të parakohshëm

Po të mos kishte humbur logjika, siç realisht ka humbur në pjesën më të madhe të elitës sonë rural-politike, diskutimet për postin e presidentit nuk do të duhej të bëheshin fare në këtë periudhë. Pse? Sepse presidenti në detyrë i ka edhe tetë muaj deri sa ta përfundojë mandatin, ashtu që nëse e heqin para kohe me kalkulime partish, i bie që bëjnë një lloj puçi politik. E dyta dhe më e rëndësishmja në këtë mes, hapja e këtij debati për presidentin e ri, po e stimulon vendimin e Gjykatës Speciale, si vendim i cili po rekomandohet t’ia hajë kryet presidentit aktual dhe ashtu t’ua hapë rrugën pretendentëve që po ulërasin: o burra, muleni t’ia zëmë karrigen! Kushdo që participon në këtë farsë, realisht shprehë gëzim për eliminimin eventual politik të presidentit, me të gjithë konsekuencat që mund të ketë një eliminim me vendime gjykate penale, për historinë dhe për të sotmen e vendit tonë.

Edhe pse hapja e debatit i ka këto absurditete brenda vetes, absurditet edhe më të madh paraqet fakti se kush është involvuar në këtë debat. Ndonëse mund të ketë edhe aktorë të tjerë që do të inkuadrohen në ditët dhe javët në vijim në këtë debat, ata që tashmë janë involvuar, po e zbulojnë mjaftueshëm degradimin politik që ka pllakosur këtë vend. I pari që e ngriti këtë temë është ish kryeministri Ramush Haradinaj. Në fillim e aktivizoi aparatin e partisë e pastaj vetë deklaroi se nëse nuk zgjidhet president, do ta rrëzojë qeverinë. Në ditët në vijim u lansua propozimi që edhe një tjetër kryetar partie aleanciste, Behgjet Pacolli (AKR), të jetë kandidat për president. Pastaj kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, deklaroi se familja Jashari mund ta pranojë atë përgjegjësi nëse qytetarët dhe populli ua kërkojnë. Ndërsa LDK-ja, së fundi, doli me qëndrimin që pozita e presidentit i takon asaj partie. Një aktivist i LDK-së ka propozuar emrat e akademik Rexhep Ismajlit dhe të shkrimtarit Jusuf Buxhovi. Nëse vazhdohet me këtë logjikë, do të ketë edhe shumë propozime e kushtëzime të tjera, ashtu që kur të vijë koha për ta zgjedhur përnjëmend presidentin, në sallën e parlamentit mund të ketë më shumë kandidatë sesa deputetë.

Edhe më provokuese më duket pyetja se për çka po bëhet gjithë kjo garë? Mua më rezulton që gara po zhvillohet jo vetëm për një karrige që tash për tash është e zënë, por për një karrige që, për sa i përket pushtetit, është bosh edhe kur është formalisht e zënë. Pse? Sepse Kosova është një vend që de jure administrohet nga faktorë ndërkombëtarë, brenda temave të Marrëveshjes Teknike-Ushtarake të Kumanovës, të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Planit Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit, EULEX-it dhe Gjykatës Speciale. Në termat e këtyre dokumenteve dhe pushteteve, Kosova nuk është shtet i pavarur e, aq më pak, sovran. Fjala vjen, KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut kanë të drejtë të bëjnë arrestime, EULEX-i dhe Gjykata Speciale kanë mandat të bëjnë gjykime, ndërsa Këshilli i Sigurimit në çdo tre muaj e diskuton dhe miraton raportin për Kosovën, të cilin e paraqet sekretari i OKB-së. Prandaj, as presidenti i Kosovës nuk është president tamam, sikundër që as shteti ynë nuk është ende shtet tamam.

A trajtohet Kosova si shtet nga shtete që e kanë njohur

Nganjëherë pozita e presidentit të Kosovës më duket e ngjashme me pozitën e presidentit të Qipros së Veriut. Njërin nga ata president e kam takuar në vitin 2010, më duket, në një aktivitet universitar në Girne. Ai ndiqte çdo aktivitet të brendshëm atje, mëhallë më mëhallë, sepse askush nuk i vinte në vizitë dhe askush nuk e ftonte askund. Natyrisht, Kosova është shumë më shumë shtet sesa Qiproja e Veriut, por jo aq sa është Qiproja e Jugut, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian. Në fakt, Kosovën nuk e trajtojnë si shtet as shumica e shteteve që e kanë njohur dhe të cilat ne i quajmë aleatë e miq. Ka raste që ndonjë kryeministër ose kryetar i ndonjë shteti evropian vjen në vizitë në Kosovë, viziton forcat e veta në kuadër të KFOR-it dhe kthehet pa e takuar asnjë zyrtar shtetërorë të Kosovës. Në këtë kuptim, pra, nuk kryen punë emërtimi i funksionit ose institucioni (president/presidencë), por fuqia e tij, ashtu si thotë Fukujama: “forca e institucioneve shtetërore është në një kuptim të gjerë më e rëndësishme sesa shtrirja e funksioneve shtetërore”. Në rastin tonë shihet se funksionet pa fuqi realisht janë karikaturë e pushtetit. Ndjekja nga Gjykata Speciale e presidentit derisa është në detyrë, është tregues i mungesës së fuqisë dhe, faktikisht, i kotësisë së ushtrimit të një posti, pa pasur fuqi në pajtim me postin. Vizitat e presidentit aktual nëpër familje të dëshmorëve e të veteranëve dhe eksplorimi e postimi prej tij i bukurive natyrore të vendit, flet vetvetiu për një funksion pa fuqi.

Për ta konkretizuar edhe një aspekt të këtij meditimi tim në këtë temë, po e ricitoj Fukujamën: “Një institucion i mirë shtetëror është ai që e shërben me transparencë dhe efikasitet nevojave të klientëve të tij – qytetarëve të shtetit”. E, pra, institucioni shtetëror që varet nga instanca të tjera të pushtetit ndërkombëtar (nga Marrëveshja Teknike-Ushtarake e Kumanovës, nga rezoluta 1244, nga Plani i Ahtisarit, nga EULEX-i, nga Gjykata Speciale) as nuk mund të jetë transparent e as efikas për qytetarët e shtetit. Atij i duhet të manovrojë, të manipulojë, ashtu që në sytë e qytetarëve të duket i fortë, ndërsa përballë protektorëve të sillet si pulë e lagur. Miratimi i Gjykatës Speciale nga ana e institucioneve të Kosovës është shembulli më tipik i sjelljes si pulë e lagur. Pavarësisht të gjitha këtyre sa u thanë, pra edhe po të ishte Kosova me shtetësi të përmbyllur, gara do të duhej të ishte më korrekte sesa kjo që sapo ka filluar. Si fillim, gara do të duhej të shpallej brenda rregullave dhe afateve kushtetuese, në mënyrë që t’u jepej mundësia të gjitha partive e të gjithë aktorëve relevantë që të participojnë në një proces mirëfilli demokratik. E dyta, gara nuk do të duhej të kishte asnjë ngjyrim lokal, as fisnor madje as të meritokracisë së gjeneratave të kaluara. Një president që zgjidhet nuk mund ta ushtrojë funksionin duke u mbështetur në një bastion lokal a fisnor, pa formim kulminant akademik e politik, pa projekt të detajuar për orientimet strategjike të shtetit, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në skenën ndërkombëtare. Në demokraci jo, në shtete me diktatura si ato në Lindjen e Mesme, po. Në rastin tonë, të një shteti që përpiqet ta përmbyllë shtetndërtimin, më së miri do të ishte që presidenti të zgjidhej nga populli. Populli mund të bëjë edhe zgjedhje të gabueshme, por në atë rast nuk ka kë ta fajësojë, por e rritë aftësinë që ta korrigjojë gabimin në të ardhmen e të mos mbetet peng i gabimeve të përsëritura, siç po ndodhë me popullin në Kosovë, por edhe me mbarë kombin tonë shqiptar. Lidhur me këtë aspekt, Gjovani Sartori konstaton: “Populli ka gjithmonë të drejtë, jo në kuptimin që nuk gabon kurrë, po në kuptimin që ai ka të drejtën të gabojë dhe se e drejta për të gabuar i takon atij për vete, në dëm të vet.”Unë mendoj se këta që kanë shpërfaqur kandidaturat për president të Kosovës, nuk e kanë në hatër zgjedhjen e presidentit nga populli, madje as ata që thonë se e kanë në hatër. Këto janë figura me fuqi lokale, koniukturale që duan të bëhen president me matematika partish ose me narracione për të kaluarën heroike të të parëve të tyre. Asnjëra kandidaturë nuk ofron minimumin e garancive që një president i zgjedhur me aso matematikash, mund të jetë president i të gjithë qytetarëve dhe të punojë me transparencë dhe me efikasitet për qytetarët dhe ta afirmojë vendin në arenën ndërkombëtare.

Paragjykime dhe manipulime të panevojshme

Meqë jemi tetë muaj larg afatit kur duhet të zgjidhet presidenti i Kosovës, por në të njëjtën kohë përballë një Gjykate Speciale, e cila mund ta shkurtojë atë afat nëse ngre padi kundër presidentit aktual Hashim Thaçit, moralisht nuk ka vend për kandidatura serioze. Përqendrimi do të duhej të ishte në përgatitjen e institucioneve që ta përballojnë, brenda kuadrit kushtetues, goditjen nga Gjykata Speciale, nëse ajo goditje ndodhë vërtet. Kuvendi dhe qeveria do të duhej të koncentroheshin në maksimum për ta përballuar sfidën, por edhe opozita do të duhej të ishte maksimalisht konstruktive. Nëse Kushtetuta e parasheh që kryetarin e zëvendëson kryetari i Kuvendit, nuk ka pse të ketë nguti, pasi nuk paraqitet vakum institucional brenda gjashtë muajve. Pra, nuk duhet të paragjykohet personi, në këtë rast kryetarja e Kuvendit, e cila në rast nevoje mund ta marrë funksionin e presidentit. Por, në mentalitetin provincial që dominion në skenën tonë politike, paragjykimi është i pashmangshëm. Siç duket, kjo është arsyeja e gjithë ngutisë, që të zihet pozicionet startuese, në mënyrë që të shmanget “befasia”, e cila në këtë rast nuk do të ishte kurrfarë befasie, por vetëm zbatim i germës së Kushtetutës. Natyrisht, me paragjykimin vjen edhe manipulimi, për të cilin në antikulturën tonë politike ka një traditë të lashtë bizantino-sllave. Manipulimi tashmë është ravijëzuar në formë presionesh e kalkulimesh brenda koalicionit qeveritar, po edhe të aktorëve të tjerë. Por, më duket se në fund të procesit, qoftë ai rotacion normal ose i imponuar nga vendimi i Gjykatës Speciale, shumë njerëz do të mbeten me gishta në gojë. Siç mbeti me gishta në gojë “kryeministri shqiptar” në Maqedoni të Veriut, ku pas dështimit, u manipulua se gjoja vetë Zoran Zaevi na qenkësh shqiptar, siç i paskësh thënë Ali Ahmetit një sharlatan që tallet me historinë. Pra, me zgjedhjen e Zaevit, na dilka që BDI-ja e ka mbajtur premtimin për një “kryeministër shqiptar në Maqedoni”, pasi Zaevi na qenkësh shqiptar! Kjo është fyerje e inteligjencës së njeriut normal. Por, faktikisht, ky është degradimi ku kanë rënë elitat tona politike, si në Kosovë, si në Maqedoni, si në Shqipëri, të cilat gënjejnë ditën për diell, pa iu dridh qerpiku. Gara e palavdishme për karrigen e presidentit të Kosovës është brenda kësaj skeme. Ama, edhe kanë gjetur popull të përshtatshëm për t’u tallë me të. Në fakt, vetë e kanë lënë në injorancë popullin dhe vetë e sundojnë, si u vjen më mbarë. Kështu do të jetë edhe me zgjedhjen e presidentit të Kosovës: një tallje e madhe me popullin dhe, në fund, një zgjedhje që imponohet jo nga interesi i popullit, por nga matematikat e partive dhe nga diktati i të huajve. Ndërkaq po shihet se populli nuk i kupton matematikat e tilla ose shtiret se nuk i kupton, pasi është në pamundësi që vetë t’i llogaritë interesat e veta. Karrigia e presidentit është e zënë edhe kur formalisht është bosh, ngase në çdo variant në të e vendosin dikë që nuk e ka miratimin e popullit. Siç duket, pikërisht ajo mungesë përgjegjësie para popullit e bën atë pozitë edhe më atraktive. Por, me këto mendësi e me këto veprime, siç thotë një fjalë e urtë, (ky shtet) “nuk ka pshtim, ka veç vanim”. Me një president që nuk përfaqëson as popullin, as shtetin, po vetëm mujsharinë partiake ose vetëm të kaluarën, epilogu i tillë vetëm sa përshpejtohet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Michelle Obama rrëfen se ka patur raste kur ajo ka…