Kosova përshëndet normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Mbretërisë së Bahreinit dhe Izraelit

12 shtator 2020 | 10:12

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), ka përshëndetur deklaratën e përbashkët trepalëshe për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Mbretërisë së Bahreinit dhe Shtetit të Izraelit, me ndërmjetësim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Republika e Kosovës uron Shtete e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bahreinit dhe Shtetin e Izraelit për zotimin në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Mbretërisë së Bahreinit”, ka deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla, duke vlerësuar se deklarata e djeshme demonstron vullnetin e fortë dhe dedikimin amerikan, të shtetit të Izraelit dhe Mbretërisë së Bahreinit për vendosjen e paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit në Lindjen e Mesme.

Deklarata trepalëshe, vjen pas marrëveshjes historike të paqes në mes të Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritura nën udhëheqjen e Presidentit Trump.

Republika e Kosovës mirëpret angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për paqe në Lindjen e Mesme dhe në pjesën juglindore të Evropës, si hapa drejt sigurisë dhe stabilitetit global.

Sipas kryediplomates Haradinaj-Stublla, Republika e Kosovës mirëpret këto të arritura historike dhe shpreson që ato të shërbejnë si themel për paqe në Lindje të Mesme dhe si përparime thelbësore në rrugën drejt paqes universale në botë.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të ardhurat nga turizmi në Shqipëri shënuan vlerën 91 milionë…