![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/09/A5A47FD2-CFFC-44FA-A8D4-09BC3B190CAC.jpeg)
Tahiri dhe Van Gelder diskutojnë për partneritetin e Qeverisë së Kosovës me Bankën Botërore
Zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri, së bashku me ambasadorin Lulzim Pllana, në Vjenë të Austrisë, ka takuar Linda Van Gelder, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, me të cilën ka diskutuar partneritetin e Qeverisë së Kosovës me Bankën Botërore.
“U dakorduam që të punojmë së bashku në procesin e reformave, duke thelluar bashkëpunimin tonë për të shtyrë përpara reformat në administratën shtetërore, Ligjin e Qeverisë, atë të Inspeksioneve, të Pagave në Sektorin Publik, Financave Lokale dhe Programin për Reduktimin e Barrës Administrative”, ka thënë Tahiri pas takimit.
Ai ka bërë me dije se nga Van Gelder, u njoftua për ndihmat financiare që do të vijnë nga Banka Botërore, si në programe zhvillimore dhe infrastrukturore, ashtu edhe për programin që do të ndihmojë bizneset e vogla dhe të mesme.
“Po ashtu, folëm edhe për vizitën që ekipi i qeverisë i kryesuar nga Ministrja e Financave do ta ketë në SHBA”, ka thënë Tahiri.
(Q.R / Epoka e re)