![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/09/zeka.jpg)
Zeka: Kosova duhet të insistojë që përfitimet më të mëdha nga marrëveshja për Ujmanin t’i ketë për vete
Mini-shengeni ballkanik ka qenë njëra nga pikat e marrëveshjes së 4 shtatorit e nënshkruar në ShBA, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht se në fillim kjo iniciativë ishte kundërshtuar në Kosovë, përfshirë edhe LDK-në dhe Avdullah Hotin, i cili në cilësinë e kryeministrit më 4 shtator e nënshkroi këtë marrëveshje. Por, për Arian Zekën nga Oda Ekonomike Amerikane, mbështeta e kësaj ideje nga ShBA, ka bërë që Kosova të ndryshojë qëndrim sa i përket mini-shengenit.
Ai në një prononcim për “Ekonomia Online”, ka thënë se për këtë nismë kur është prezantuar fillimisht ka pasur pak informacione.
“Kur është prezantuar si ide nga dy kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ka pasur shumë pak informata sa i përket kësaj nisme dhe qëllimeve konkrete që synoheshin të arriheshin me krijimin e një zone të re të bashkëpunimit ekonomik, ose një zone të unifikuar të bashkëpunimit ekonomik. Përfshirja e ShBA-së dhe promovimi i kësaj ideje nga ana e tyre, megjithatë i ka dhënë një dimension të ri kësaj ideje, gjë që besoj se ka ndikuar që edhe Kosova të jetë më e hapur ndaj idesë së përfshirjes në të”, ka thënë Zeka.
Ai ka thënë se mini-shengeni do të mundësojë heqjen e barrierave të lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve. “Zona si e tillë do të mundësojë promovimin e atyre që njihen si katër liri: Liria e lëvizjes së mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit, gjë që e ngrit pastaj konceptin për tregti të lirë CEFTA në një nivel krejt tjetër”, ka thënë Zeka.
Se roli i ShBA-së ka qenë përcaktues që Kosova ta pranojë mini-shengenin, e ka thënë edhe vet kryeministri Avdullah Hoti.
Ai ka deklaruar se mini-shengenin e ka pranuar pasi e ka kërkuar ShBA.
Pikë tjetër e marrëveshjes në Uashington, ka qenë edhe marrëveshja për Ujmanin.
E sipas, Zekës, pas kryerjes së fizibilitetit nga ana Departamentit të Energjisë së ShBA-së, Kosova duhet ta shfrytëzojë, që në negociatat e mëtejme të insistojë që përfitimet më të mëdha t’i ketë ajo.
“Ekzistojnë konventat ndërkombëtare për menaxhimin e ujërave ashtu siç ekzistojnë konventa e traktate ndërkombëtare për menaxhimin e asetve të cilat shtrihen në territoret e dy e më tepër shteteve. Mundësinë e kryerjes së fizibilitetit nga ana e Departamentit të Energjisë të ShBA-së, Kosova duhet ta shfrytëzojë, ashtu që pastaj në negociatat e mëtejme të insistojë që përfitimet më të mëdha të vjelën nga ana e Kosovës ashtu siç shtrihet ky aset”, ka thënë Zeka.
Marrëveshja e karakterit ekonomik e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Uashington, parasheh edhe investime në infrastrukturën hekurudhore.