Kryetari i Skenderajt thotë se janë bërë gati për fillimin e vitit të ri shkollor

13 shtator 2020 | 21:18

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se kjo komune ka bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Pas përgatitjeve të bëra nga komuna jonë, drejtoria e Arsimit, konform vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, sipas udhëzimeve dhe masave mbrojtëse kundër Covid-19, neser do të hapen të gjitha shkollat e komunës sonë, për nxënësit e klasave: parashkollor, 1,2,3,4,5,6 dhe 10, kurse klasat: 7, 8, 9 dhe 11,12 do të fillojnë  mësimin nga java tjetër, me 21 shtator”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” kryetari Jashari.

Ai ka theksuar se për të pasur një proces të rregullt të mësimit duke shmangur mundësitë e përhapjes së infeksionit, kanë themeluar task forcën komunale dhe secila shkollë po ashtu ka të themeluar task forcën.

“Kemi dezinfektuar të gjitha shkollat dhe do të dezinfektohen çdo ditë.

Kemi pranuar donacion nga MASH-i maska për nxënësit e komunës sonë, për të cilin donacion falënderoi ministrin, z. Likaj”.

“Nxënës të dashur, si kryetar i Komunës së Skenderajt, ju uroj vitin e ri shkollor 2020-2021, duke ju dëshiruar së pari shëndet në këtë kohë pandemie, suksese në mësime dhe realizim të synimeve tuaja jetësore. Ju lutem shumë që krahas përkushtimit maksimal në mësime, të keni kujdes të veçantë, duke mbajtur maskë dhe duke ruajtur distancën sociale”, ka shkruar Jashari.

“Apel për prindërit që të punojnë sa më shumë me fëmijët e tyre dhe të përcjellin shëndetin e tyre në vazhdimësi. Përkrahja jonë si komunë, nuk do të mungojë asnjëherë. Urime, nxënës, prindër dhe mësimdhënës, viti i ri shkollor, shëndet e suksese të pa numërta”, ka shkruar ndër të tjera Jashari.

(Qendresa Rama / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria izraelite ka miratuar vendosjen e një karantine kombëtare tre-javore,…