Testi i Maturës, pyetjet nuk do të jenë të njëjta në tërë Kosovën

02 prill 2018 | 10:14

Provimi i Maturës Shtetërore këtë vit do të mbahet në katër regjione, në katër ditë të ndryshme, e kjo është bërë me qëllimin që të arrihen rezultate sa më reale dhe të ketë një administrim sa më të mirë të provimit.

Edhe pse testi do të organizohet në regjione të ndara dhe jo për një ditë, edhe pyetjet e testit do të jenë të ndryshme.

Kryetari i Komisionit të Maturës Shtetërore, Fehmi Hysenaj, në një intervistë për KosovaPress është shprehur i bindur se organizimi i maturës shtetërore në katër regjione do të jetë një formë më e mirë për administrimin e testit.

Provimi i Maturës shtetërore do të ketë 200 pyetje, ku kalueshmëria e këtij testi është 40 përqind dhe për secilin regjion pyetjet do të jenë të ndryshme.

Që të ketë një administrim sa më të mirë të provimit, MAShT ka ndërmarrë edhe disa masa në mënyrë që të eliminohet mundësia e kopjimit gjatë testit.

Nxënësit nuk do të kenë mundësi që në test të hyjnë me telefona, madje këtë herë telefonat janë ndaluar edhe për administruesit.

Edhe numri i nxënësve nëpër klasa gjatë mbajtjes së provimit do të jetë i kufizuar, ku në një klasë nuk mund të jenë më shumë se 15 nxënës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i komunës së Klinës, Agron Gashi ka vdekur dje…