Ministri Zemaj paralajmëron lehtësim të masave
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se nga testimet e bëra, në 24 orët e fundit, sërish ka rezultate të kënaqshme, pasi vetëm 46 raste kanë rezultuar pozitiv me Covid 19.
Zemaj ka thënë se kultura qytetare, respektimi i masave dhe rekomandimeve të vendosura prej Ministrisë së Shëndetësisë me rekomandim të IKShPK-së, si dhe koordinimi i plotë me të gjithë akterët tjerë, po sjell rezultate të kënaqshme.
“Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit pozitive dhe trendin e rënies së lakores të rasteve të infektimeve, sot, për në mbledhjen e Qeverisë do të propozojë lehtësimin e masave, por duke mbetur të gjithë të përkushtuar dhe vigjilent”, ka thënë ai, raporton “Epoka e re”.
Zemaj ka theksuar se veprimi i përbashkët me të gjitha nivelet e shëndetësisë, me pushtetin lokal dhe të gjithë akterët relevant për zbatimin e masave anti covid, sollën edhe rezultate të mira edhe propozimin e lehtësirave të këtyre masave.
“Së bashku, do të zbatojmë edhe masat lehtësuese, sepse vetëm ashtu mund të kemi sukses. Faleminderit qytetarëve dhe të gjitha institucioneve të përfshira për arritjen e përbashkët! Mosrespektimi i rekomandimeve për masat lehtësuese, do të sjell vendime adekuate me gjendjen e krijuar. Por, kam besim të plotë, sikur deri sot, të respektohen vendimet dhe përkushtimin kundër virusit Covid-19”, ka deklaruar ministri Zemaj.
(Faton Dërmaku / Epoka e re)