Dje policia arrestoi edhe 22 persona për veprimtari kriminale

02 tetor 2020 | 08:26

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se të enjten janë arrestuar 22 persona gjatë një aksioni të ndërmarrë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, në rajonin e Gjilanit, Ferizajt, Prizrenit, Podujevës, Pejës, Suharekës dhe Vitisë.

Ky aksion ka qenë vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 19 shtator, në zonën e Karaçevës dhe rajone të tjera, i cili kishte rezultuar me 37 persona të ndaluar.

“Operacioni i sotëm është zhvilluar për shkak të dyshimeve të bazuara se në lokacionet e lartcekura janë zhvilluar veprimtari kriminale, përfshirë kontrabandimin të mallrave, vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë, blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale dhe organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.

Gjatë aksionit policor të 19 shtatorit janë rrënuar edhe 12 objekte ku zhvillohej veprimtaria e bixhozit dhe lojërave të fatit.

Në mars të vitit 2019 Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ligjin që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshëm.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit kishte ardhur pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës ishin vrarë dy persona.

Edhe pas vendimit të qeverisë në atë kohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se në aksione të ndryshme ka hasur dhe arrestuar persona të cilët ishin dyshuar se me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, kanë organizuar lojëra të fatit./REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i…