Hoti pas takimit me Lajçakun: Nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë me dije se nuk do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.
Në një konferencë për medie, pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, Hoti ka thënë se asociacioni do të jetë ashtu siç ka thënë Gjykata Kushtetuese.
“Asociacioni është temë e mbyllur. Kemi garancitë që Asociacioni nuk ka kompetencë ekzekutive. E kemi hequr nga tavolina idenë e shkëmbimit të territoreve, nuk flet askush më për këtë temë. Nuk diskutohet karakteri unitar i shtetit. Nuk kam ndërruar mendje dhe nuk kam kurrfarë presioni, jam në detyrë për të kryer punën si kryeministër i vendit në përputhje me Kushtetutën e vendit”, ka thënë Hoti.
Ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk është nën presion për këtë çështje.
“Nuk është qeveri që pranon kërcënime nga askush. Kemi marrëveshje koalicioni me të gjithë partnerët përfshirë edhe Listën Serbe. Për aq kohë sa i përmbahemi marrëveshjeve punojmë bashkë. Kjo është ajo që mund të them për këtë”, ka thënë Hoti.