Kosova nis zbatimin e një pike nga marrëveshja e Uashingtonit, ambasada amerikane e përgëzon

16 tetor 2020 | 15:51

Kosova është vënë në lëvizje për të zbatuar një pikë të marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 shtator.

Ajo ka të bëjë me rrjetin 5G dhe përdorimin e pajisjeve të teknologjisë nga shitës të sigurt. Për këtë çështje, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur të premten në takim përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), si organi më kompetent në fushën e komunikimeve elektronike, raporton “Epoka e re”.

Në këtë takim, kryeministri Hoti ka potencuar rëndësinë e sigurisë kombëtare, ruajtjes së rendit publik, ruajtjes së kufirit shtetëror për funksionim të qëndrueshëm e të besueshëm përmes institucioneve përkatëse shtetërore dhe bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale.

“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre”, ka theksuar kryeministri Hoti.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka përgëzuar Kosovën, që siç ka thënë, është siguruar se rrjetet e saj të gjeneratës së pestë të komunikimeve, 5G, janë në rrugë të pastër, të lira nga ofrues që nuk u besohet dhe në linjë me Marrëveshjet e Uashingtonit.

“Ne do të vazhdojmë në punojmë së bashku drejt integrimit të sigurt të komunikimit rajonal dhe zgjerimit të ekonomisë digjitale të Kosovës”, ka thënë Kosnett përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”.

Në marrëveshjen për normalizim ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Uashington, nga Kosova dhe Serbia, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, vendet janë zotuar se do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetin e komunikimit

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arben Veselaj Vegullia e zonjës Bovary (Shënime nga ditari i…