GLPS: Shuarja e task-forcës kundër korrupsionit, tendencë për ndërhyrje dhe shtrirje të pushtetit

20 tetor 2020 | 12:08

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, e cila dje ka shfuqizuar Task-Forcën Kundër Korrupsion(Departamentin Special Anti-Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës).

GLPS-ja ka vlerësuar se shuarja e Task-Forcës Kundër Korrupsion është tendencë për ndërhyrje dhe shtrirje të pushtetit.

“Vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës për ta shuar Task-Forcën Kundër Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës është tejet shqetësues dhe është tendencë direkte e qeverisë për të shtrirë ndikim e saj dhe për të ndërhyrë në proceset hetuese të zyrtarëve të lartë politik dhe institucional. Task-forca Kundër Korrupsion ishte krijuar me vendim të Qeverisë Nr. 02/110 në kuadër të Departamentit të Hetimeve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), si një ndër hallkat kryesore në hetimin e korrupsionit të profilit të lartë. Pa paragjykuar performancën e kësaj Task-force dhe rezultatet konkrete të kompetencave të saj, rikujtojmë që e njëjta është lavdëruar si një ndër hallkat më të suksseshme në luftimin e korrupsionit të profilit të lartë, përfshirë këtu edhe raportet ndërkombëtare si Raporti për Vendin dhe ato nga EULEX. Për më tepër, të njëjtat institucione kanë rekomanduar fuqizimin e kësaj Task-force, kurse qeveria, ka vepruar plotësisht kundër këtij rekomandimi duke e shuar atë në tërësi”, është thënë në reagimin e GLPS-së.

Sipas tyre, ky vendim kundërthënës është marrë pa asnjë arsyetim të qëndrueshëm dhe në një kohë kur Kosova do duhej të ndërmarr hapa pozitiv në luftimin e korrupsionit të profilit të lartë, ndër të tjera, si parakusht për vendimin për liberalizim të vizave.

“Është tejet shqetësues fakti që është shndërruar në normë të pranueshme praktika që secili koalicion qeverisës, me të marrë pushtetin, shkarkon udhëheqës të institucioneve kyçe, për t’i zëvendësuar ata me individ partiak dhe në shërbim të interesave të tyre. Ky veprim vie në vazhdën e vendimeve të tjera të njëpasnjëshme të kësaj qeverie, të cilat seriozisht minojnë përpjekjet e Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, është thënë në reagimin e GLPS-së.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kundërshtarin e ardhshëm evropian të martën e mësoi edhe skuadra…