Pacolli: Hoti i tha ‘po’ mini-shengenit, e ‘jo’ anëtarësimit të Kosovës në BE

21 tetor 2020 | 13:20

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit është zotuar se do të suspendojë të drejtën legjitime të shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Ajo ka thënë se ishte kërkesë e Serbisë që Kosova të heq dorë nga kërkesa e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Kosova është shtet i pavarur, por të qenit shtet i pavarur nuk mjafton nëse nuk të njihet subjektiviteti ndërkombëtar dhe këtë ne duhet ta dimë më së miri. Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare rajonale mbetet alternativë e domosdoshme për të siguruar njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar dhe shtetësinë. Duke qenë shtet i vogël Kosova nuk ka mundësi të shtrijë rrjetin e saj diplomatik në çdo cep të botës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare krijon hapësirë për shtrirje të ndikimit të saj dhe jep zë për të avancuar interesat e saj. Anëtarësimi në organizatën ndërkombëtare z. Hoti është njohje e pavarësisë së Kosovës nga shtete që nuk e kanë njohur akoma Kosovën. Përmes njohjes kolektive anëtarësimi në organizata ndërkombëtare i siguron Kosovës të drejtën e votës në këto organizata dhe formalisht e barazon atë me shtetet e tjera”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se këtë veprim, Hoti është duke e dëmtuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Si është e mundur që moratoriumi njëvjeçar të mos aplikohet kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Kosovës në zonën e mini-shengenit apo në zonën e Novisadit. Si është e mundur Kosovës t’i pezullohet e drejta për t’u anëtarësuar në BE, në NATO, UNESCO, dhe t’i lejohet e drejta për t’u anëtarësuar në zonën e Novisadit? Si mundet të ndodhet kjo? Pra ju si një proamerikan i thoni ‘Po’ mini-shengenit dhe zonës së Novisadit, por ‘Jo’ Bashkimit Evropian. Ju i thoni ‘Po’ mini-shengenit apo zonës së Novisadit. por ‘Jo’ anëtarësimit në NATO, e çuditshme kjo. I thoni ‘Po’ mini-shengenit, por ‘Jo’ Këshillit të Evropës. I thoni ‘Po’ mini-shengenit apo zonës së Novisadit, por i thoni ‘Jo’ Organizatës Botërore të Shëndetësisë. I thoni ‘Po’ mini-shengenit apo zonës së Novisadit, pra iniciativës së Serbisë, por ‘Jo’ UNESCO-së”, është shprehur deputetja Pacolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një delegacion i lartë nga Departamenti Energjisë të Shteteve të…