E gjithë vëmendja te zgjedhjet në ShBA, Trump apo Biden?

02 nëntor 2020 | 16:20

Me vetëm edhe një ditë deri në zgjedhje, dy kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe Joe Biden, po bëjnë përpjekje t’i bindin votuesit e pavendosur.

Sondazhet e opinionit e nxjerrin Bidenin përpara Trumpit në nivel kombëtar me së paku 8 për qind, por ai ka një avantazh më të ngushtë në disa shtete, që potencialisht i japin Trumpit 270 votat e nevojshme për të fituar Kolegjin Zgjedhor, i cili e përcakton fituesin, raportojnë mediet amerikane.

Një ditë para zgjedhjeve, si presidenti Donald Trump ashtu edhe sfiduesi i tij, ish-nënpresidenti Joe Biden, po argumentojnë përpara votuesve se përse e meritojnë mandatin e ardhshëm katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Një e panjohur e madhe është pjesëmarrja në votime. Sa njerëz do të shkojnë të martën fizikisht në qendrat e votimit, pa marrë parasysh frikën e koronavirusit, që ka lënë më shumë se 230,000 të vdekur në ShBA?

Sipas organizatës Projekti Zgjedhor, deri tani kanë votuar më shumë se 93 milionë njerëz, rreth 67 për qind e të gjithë atyre që votuan në vitin 2016.

Të dyja ekipet e fushatave të kandidatëve për president pretendojnë se e shohin qartë rrugën drejt fitores.

Jason Miller, këshilltar i fushatës së presidentit Trump, thotë se Trumpi e ka zgjeruar bazën e mbështetjes veçanërisht midis meshkujve afrikano-amerikanë dhe votuesve me prejardhje latinoamerikane si dhe në shtetet që historikisht kanë qenë baza të demokratëve.

Ndërkaq demokratët thonë se rruga drejt fitores po ndryshon në favor të tyre, sepse shtetet normalisht republikane tani janë duke u kontestuar.

Dyshja Joe Biden-Kamala Harris, kanë vizituar kohët e fundit shtetet Teksas, Xhorxhia dhe Ajova, të cilat në vitin 2016 mbështetën kandidatin Trump.

Anita Dunn, këshilltare e fushatës Biden, thotë se pjesëmarrja në votime do të thyejë rekorde sepse njerëzit janë të motivuar për të parë ndryshime.

Mbetet e paqartë se sa shpejt do të jenë gati rezultatet e votimit dhe sa do të duhet të presin amerikanët për të mësuar përfundimin e këtyre zgjedhjeve, që mund të mbeten në histori.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja për Bashkim ka bërë homazhe tek varret e heronjve…