ISIS merr përgjegjësinë për sulmin në Universitetin e Kabulit

03 nëntor 2020 | 08:21

Grupi ekstremist Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për një sulm në Universitetin e Kabulit, që ka rezultuar me të paktën 19 persona të vdekur dhe mbi 20 të plagosur.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Tariq Arian, ka thënë se tre sulmues kanë hyrë në universitet më 2 nëntor, para se të përballeshin me forcat e sigurisë për orë të tëra.

Arian ka thënë se të tre sulmuesit janë vrarë në betejë.

Dëshmitarët kanë thënë se pas sulmit ka pasur edhe shpërthime në zonën e sulmit.

Sulmi është thënë të ketë nisur para arritjes së zyrtarëve qeveritarë për një panair të librit afgano-iranian.

Megjithatë, grupi militant, Shteti Islamik ka postuar një mesazh në aplikacionin Telegram, duke thënë se dy prej luftëtarëve të tij kanë shënjestruar “ceremoninë e diplomimit të gjyqtarëve dhe hetuesve që punojnë për qeverinë afgane që mohon fenë”.

Shahrzad Akbar, udhëheqës i Komisionit të Pavarur afgan për të Drejta të Njeriut e ka cilësuar sulmin “shumë shqetësues”.

“Ky akt dërgon mesazhin se fatkeqësisht në Afganistan asnjë vend nuk është i sigurt. Qytetarët nuk janë të sigurt nëpër shtëpi, nëpër rrugë, apo në ambiente të punës dhe edukimit”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Një tjetër sulm në fund të muajit të kaluar në një qendër edukimi në Kabul, ka lënë të vdekur 24 persona, kryesisht studentë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka shkuar në 95 numri i të vdekurve nga tërmeti…