Bideni më pranë fitores, Trumpi me akuza për procesin zgjedhor

06 nëntor 2020 | 11:10

Numërimi i votave nëpër shtetet kyçe është duke vazhduar në Shtetet e Bashkuara.

Kandidati për president i Partisë Demokratike, Joe Biden, është më pranë fitores, ndërsa ai republikan, njëherësh president i ShBA-së, Donald Trump, ka bërë akuza që sulmonin procesin demokratik të vendit.

Në tri nga katër shtete kyçe, ku fituesi nuk është parashikuar ende, margjina midis dy kandidatëve është ngushtuar edhe më shumë, të premten. Në Pensilvani, Trump ndodhet në avantazh me 1,709 vota, ndërsa në Nevada dhe Arizona, Biden është në avantazh të lehtë dhe në rrugë për të siguruar 270 votat e Kolegjit Zgjedhor, të cilat e përcaktojnë fituesin.

Nëse trendi aktual vazhdon, Trump përballet me një rrugë të vështirë për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë. Në një konferencë për media ai bëri një deklaratë të ashpër, duke pretenduar – pa siguruar ndonjë provë – për mashtrime në shtetet ku po vazhdon numërimi i votave dhe kërcënoi me veprime ligjore në të gjithë vendin.

Biden ka fituar deri më tani 253 vota të Kolegjit Zgjedhor, dhe e gjithë vëmendja u përqëndrua në numërimin e votave në Pensilvani, ku u numëruan fletëvotimet nga zonat përreth Filadelfias.

Biden do të bëhej presidenti i ardhshëm nëse fiton Pensilvaninë, ose dy nga këto shtete: Xhorxhian, Nevadan dhe Arizonan.

Ndërsa Trump duhet të mbajë avantazhet e tij në Pensilvani dhe Xhorxhia, ndërsa i duhet të kalojë Bidenin në Nevada ose Arizona.

Fushata e Trumpit ka nisur një stuhi të veprimtarisë ligjore duke sfiduar procesin e numërimit, ndërsa hedh dyshime mbi rezultatet e zgjedhjeve.

Fushata e Trumpit gjithashtu ka sfiduar një rregull të Pensilvanisë që lejon shtetin të numërojë fletëvotimet me postë nga dita e zgjedhjeve të arritura deri në tre ditë më vonë.

Presidenti Trump gjatë fushatës së gjatë dhe të egër sulmoi vazhdimisht integritetin e sistemit të votimit të vendit.

Trump dëshiron që asnjë fletëvotim i pranuar pas ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor të mos numërohet. Ekzistojnë vendime gjyqësore që lejojnë numërimin e atyre votave në shtetet ku lejon legjislacioni vendor.

Në konferencën e mbajtur në Shtëpinë së Bardhë më 5 nëntor, ai edhe një herë pretendoi, pa prova, se demokratët “po përpiqeshin të vidhnin zgjedhjet”.

“Ne mendojmë se do të ketë shumë procese gjyqësore”, tha Trump.

“Në fund të fundit, unë kam një ndjenjë që gjykatësit do të vendosin,” shtoi ai.

Platformat e mediave sociale Twitter dhe Facebook, ku fjalimi i presidentit u transmetua drejtpërdrejt, vendosën paralajmërime mbi përmbajtjen.

Disa ekspertë ligjorë kanë thënë se proceset e mundshme gjyqësore nuk ka gjasa të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Një gjykatës i Miçiganit më 5 nëntor hodhi poshtë një proces gjyqësor të inicuar nga fushata e Trumpit, e cila kërkoi një ndalim emergjent të numërimit të votave në këtë shtet.

Biden u ka kërkuar amerikanëve që të kenë besim në procesin zgjedhor duke shfaqur besimin se ai do të jetë fituesi përfundimtar pasi të numërohen të gjitha votat.

“Askush nuk do të na rrëmbejë demokracinë. Tani dhe asnjëherë”, tha ai në një postim në rrjetet sociale pas deklaratave akuzuese të Trumpit.

“Amerika ka arritur shumë, bëri shumë beteja dhe duroi shumë për të mos lejuar që kjo të ndodhë”, shtoi Biden.

Të nxitur nga retorika e Trump, turma të vogla të mbështetësve të tij mbajtën demonstrata jashtë disa qendrave të votimit. Disa demonstrues anti-Trump u mblodhën gjithashtu në të gjithë vendin.

Të dyja organizimet ishin përgjithësisht paqësore, por megjithatë u raportuan disa përleshje të vogla midis grupeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti që është pjesë…