Fetahu: Do ta zhvillojmë basketbollin

08 prill 2018 | 12:03

Ish-anëtari i bordit të FBK-së, Arben Fetahu, ka premtuar maksimumin për zhvillimin e basketbollit të Kosovës.

Arben Fetahu është kryetar i ri i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Ai të enjten e ka fituar garën për pasardhës të Erolld Belegut ndaj Artan Rugovës. Fetahu, i kontaktuar të premten nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, ka thënë se do të punojë që basketbolli i Kosovës të shkojë përpara, kurse për zgjedhjen e tij ka vlerësuar se oferta ishte me e sinqertë se e kundërkandidatit. “Aktivitet e basketbollit në Kosovë janë duke vazhduar edhe në mungesën e kryetarit. Këtë fundjavë kemi një turne shumë të rëndësishëm ndërkombëtar për moshën U15 në Prishtinë. Puna e parë që do të bëj si kryetar është të krijoj një mekanizëm konsultues me të gjithë aktorët në mënyrë që në të ardhmen të vijnë rezultatet e mira. Arsyeja kryesore e zgjedhjes sime kryetar është sinqeriteti im dhe oferta që ishte fer dhe korrekte në krahasim me atë të kundërkandidantit që ofronte edhe vende pune. Do të angazhohem maksimalisht për ta vazhduar zhvillimin e basketbollit”, ka thënë Fetahu, i cili ka treguar se ka informata për gjithçka që ndodh në futbollin e Kosovës, pasi këtë ia ka mundësuar puna në bordin e Federatës së Basketbollit.

Ai ka thënë se nuk ka rënie të cilësisë, por të shikueshmërisë dhe se ky fenomen do të trajtohet me urgjencë. “I kam informatat për të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në basketboll, prandaj mund të them se jam i kënaqur me punën që po bëjmë në të gjitha grupmoshat e reja, por edhe me punën për avancimin e gjyqtarëve dhe të trajnerëve. Pasqyra e basketbollit është Superliga e që në këtë vit nuk është se ka rënie në kualitet sa ka rinie në popullaritet dhe shikueshmëri. Këtë çështje do ta trajtojmë me urgjencë”, ka shtuar ai,  raporton “Epoka e re”.

Numri një i basketbollit të Kosovës ka folur edhe për paraqitjet e Përfaqësueses A. “Reprezentacioni ka bërë mrekullinë në verën e kaluar duke u kualifikuar në mesin e reprezentacioneve më të mira të botës që marrin pjesë në kualifikimet për botëror. Me rezultatet e paraqitjeve të fundit nuk mund të jemi të kënaqur, por për këtë janë arsyet objektive duke nisur nga ndryshimi i lojtarëve e deri te lëndimi i tyre. Ne jemi duke punuar që në qershor të kemi paraqitje më të mira në dy ndeshjet para publikut tonë me Hungarinë dhe Poloninë”, ka deklaruar Fetahu, i cili ka folur edhe për klubet e basketbollit të cilat janë paraqitur në arenën ndërkombëtare. “Paraqitja e Prishtinës në Ligën e Kampionëve nuk ka qenë ajo se e kemi pritur, por kjo skuadër nuk e ka pasur edhe fatin sportiv. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të dimë se cili është kapaciteti i kubeve tona dhe të mëtojmë të kemi paraqitje në FIBA Europa Cup drejtpërdrejt dhe mos të përpiqemi në FIBA dhe Ligën e Kampionëve, pasi Championsi është gara e dytë sivjet për nga cilësia në Evropë”, ka pohuar Fetahu.

Në fund Fetahu e ka lavdëruar edhe punën që ka bërë tashmë ish-kryetari Erolld Belegu. “Kryetari Belegu ka dhënë një energji të jashtëzakonshme në Federatën e Basketbollit të Kosovës duke arritur ta ngrehë nivelin e punës dhe duke u paraqitur si në nivel kombëtar si në atë ndërkombëtar. Kam qenë në krah të tij për katër vjet e gjysmë dhe do çfarëdo cilësimi bie edhe mbi barrën time, kështu që nuk do ta jep shumë lëvdata për këtë individ, por duhet të çmojmë shumë kontributin që ka dhënë ai në basketbollin e Kosovës”, ka deklaruar Fetahu.

(Veton ZYMBERI)  

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria renditet e parafundit në listën e 100 vendeve të…