Hoxhaj: Zhvillime të rënda për Kosovën dhe PDK-në, këtë fatkeqësi do ta kthejmë në forcë të re për partinë dhe vendin

10 nëntor 2020 | 17:40

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka mbajtur të martën një konferencë për medie.

Gjatë kësaj konference, Hoxhaj ka thënë se fillimi i procesit gjyqësor ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli sot, ish-kryetarit e presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqit dje si dhe deputetit Rexhep Selimi nesër, përbëjnë një ndër ngjarjet më tronditëse të historisë dhe të politikës në Kosovë.

Me këtë rast, Hoxhaj ka shtuar se kjo është një situatë e vështirë edhe për Partinë Demokratike të Kosovës, por si parti e shpresës, këtë gjendje të jashtëzakonshme dhe të vështirë do ta shndërrojmë në forcë për t’i shërbyer Kosovës

“Ndërsa ne përballemi me këtë goditje të drejtpërdrejtë, Serbia udhëhiqet sot nga bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të regjimit gjenocidal të Millosheviçit, të cilët jo vetëm që nuk janë dënuar apo kanë kërkuar falje për gjenocidin në Kosovë, por janë hedhur në revansh për të përmbysur arritjet e deritanishme të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Deklarata e plotë e Hoxhajt:

Fillimi i procesit gjyqësorë ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit sot, ish kryetarit e presidentit Hashim Thaçi, ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqit dje si dhe deputetit Rexhep Selimi nesër, përbën një ndër ngjarjet më tronditëse të historisë dhe të politikës në Kosovë.

Partia Demokratike e Kosovës është prekur më së rëndi nga ky proces gjyqësor, por edhe parti të tjera në vend, por ajo që është e përbashkët, është goditja ndaj luftës së drejtë, të pastër dhe mbrojtëse e UÇK-së.

Ky proces i cili filloj këtë javë, vë në pikëpyetje themelet e shtetit tonë të pavarur, i cili është ndërtuar mbi luftën legjitime të popullit tonë për liri e pavarësi. Luftë kjo që fitoi zemrat e mbarë botës demokratike e kombeve të lira të botës dhe kjo ndodhi për dy arsye: Sepse Serbia bëri gjenocid në Kosovë dhe lufta e UÇK-së ishte e drejtë.

Lufta e Kadri Veselit, Hashim Thaçit e luftëtarëve të tjerë kanë vënë në vend një padrejtësi në Ballkan.

Kjo luftë e ka bërë me të drejtë Ballkanin paqësor. Prandaj ne jemi të bindur në pafajësinë e tyre dhe se ata do të kthehen faqebardhë nga një proces i tillë.

Kosova ka qenë në anën e duhur e të drejtë të historisë dhe e vërteta e saj është e pandryshueshme, ku ne kemi qenë viktima dhe Serbia ka qenë agresori.

Ndërsa ne përballemi me këtë goditje të drejtpërdrejtë, Serbia udhëhiqet sot nga bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të regjimit gjenocidal të Millosheviçit, të cilët jo vetëm që nuk janë dënuar apo kanë kërkuar falje për gjenocidin në Kosovë, por janë hedhur në revansh për të përmbysur arritjet e deritanishme të Kosovës.

Prandaj, në këtë situatë kritike, ne si Parti Demokratike e Kosovës bëjmë thirrje për vetëdije të lartë patriotike, solidaritet e unitet të mbarë faktorit politik shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni Veriore dhe troje tjera shqiptare në Ballkan. Kjo është situata më e rëndë dhe me vështirë qe ka pasur Kosova nga viti 1999 dhe ajo nuk duhet të na gjejë të përçarë e të papërgatitur.

Të nderuar qytetarë,

Kjo është një situatë e vështirë, më e vështira edhe për Partinë Demokratike e Kosovës, por si parti e shpresës dhe e besimit, këtë gjendje te jashtëzakonshme dhe vështirë do ta shndërrojmë në forcë për t’i shërbyer Kosovës dhe interesave strategjike të saj. PDK-ja i ka prirë proceseve jetike të Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj, por, edhe duke qenë protagoniste edhe në ndërtimin e demokracisë e sundimit të ligjit. Në këtë drejtim respektojmë pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit.

Së fundmi do i drejtohem strukturave, anëtarësisë dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike të Kosovës, që dhimbjen e përjetuar ta kthejnë në fuqi për të çuar përpara vizionin dhe reformat nga kryetari Kadri Veseli.

Unë jam i bindur se mënyra më e mirë për të treguar respekt e dashuri për liderët tanë, është duke u përkushtuar më shumë, duke u angazhuar më fortë për ta forcuar Partinë Demokratike të Kosovës, e nëpërmjet saj për të forcuar Republikën e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës e ka një program të qartë për të ardhmen, për të konsoliduar demokracinë, lirinë dhe sigurinë e Kosovës. Për të zhvilluar vendin e mirëqenien e qytetarëve dhe për të konsoliduar pozicionin ndërkombëtar të shtetit tonë të pavarur.

Për ta vënë në jetë këtë vizion, partia jonë ka nevojë për kontributin dhe dedikimin e të gjithë anëtarëve të saj, pa dallim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave për rajonin e Mitrovicës “Uniteti”,…