FSK-ja ndihmon komunat në përballje me pandeminë Covid-19

12 nëntor 2020 | 16:02

Në kazermën “Adem Jashari”, respektivisht në Qendrën Mjekësore të FSK-së, të enjten u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit nga Republika Federale e Gjermanisë me materiale mjekësore për përballimin e krizës së pandemisë Covid-19.

Në emër të shtetit dhurues, donacionin e dorëzoi drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Frank Best, kurse në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, donacionin e pranoi zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi në shoqërim të drejtorit të Qendrës Mjekësore të FSK-së, dr. Shkëlzen Syla, raporton “Epoka e re”.

Më pas, bazuar në planin paraprak të QKMFSK-së, me urdhër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama si dhe në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me stafin e lartë ushtarak gjerman, filloi operacioni i shpërndarjes së materialeve të donacionit përkatës në komunat e planifikuara të banuara nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Kontingjenti i parë i donacionit përkatës, iu dorëzua Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, ku të pranishëm ishin edhe gjeneral Cikaqi, gjeneral Best dhe dr. Syla, ku janë pritur nga zëvendëskryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka me bashkëpunëtorë si dhe stafi drejtues i Qendrës Mjekësore përkatëse.

Mujka në emër të stafit të QKMF-së dhe qytetarëve të komunës së tij, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e madh për FSK-në dhe shtetin gjerman për ndihmën e ofruar e shumë të nevojshme në këtë periudhë.

Nga ana e tyre, gjeneral Cikaqi dhe dr. Syla, i njoftuan të pranishmit me përmbajtjen e projektit dhe shprehën zotimin për vazhdimin e aktiviteteve të FSK-së me të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale në dispozicion për mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë në përballje me krizën e pandemisë Covid-19 dhe nevoja tjera.

Shpërndarja e materialeve mjekësore përkatëse do të vazhdojë edhe gjatë pesë ditëve të ardhshme në komunat: Viti, Hani i Elezit, Kaçanik, Mamushë, Dragash, Suharekë, Obiliq, Vushtrri, Kamenicë, Shtërpcë, Drenas, Lipjan, Fushë Kosovë, Junik, Deçan, Skenderaj, Istog, Vitomiricë dhe Podujevë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka finalizuar hartimin e planit…