Masat e reja anti-Covid, Zemaj bën thirrje për unitet dhe qëndrim në shtëpi

13 nëntor 2020 | 17:20

Sonte nga 19:00 deri në 05:00 të mëngjesit dhjetë komuna të Kosovës do të mbyllen.

Komuna e Prishtinës, Podujevës, Obiliqit, Fushë-Kosovës, Mitrovicës së Jugut, Gjilanit, Ferizajt, Shtimes, Gjakovës dhe Pejës do të futen në karantinë pas vendimit Qeverisë së Kosovës për shkak të numrit të madh të infektuarve me virusin Covid-19.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, u ka bërë thirrje te qytetarët t’i respektojnë masat dhe të qëndrojnë në shtëpi.

Përmes një postimi në “Facebook”, Zemaj ka thënë që se sipas tij, kushti i parë për sukses në këtë betejë, është të mos i japim hapësirë e mundësi virusit.

Tutje ai ka thënë që masat duhet zbatuar dhe duhet t’i përmbahen të gjithë, pa përjashtim.

Postimi i plotë i Zemajt:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Nga sot, në orën 18:00, janë në fuqi masat e reja të Qeverisë së Kosovës. Lëvizja e qytetarëve, është e përcaktuar sipas numrit të të infektuarve në 7 ditët e fundit, me zona. Në zonën e kuqe janë 9 komuna, në zonën e verdhë janë 19 komuna dhe në zonën e gjelbër janë 10 komuna.

Masat do zbatuar dhe përmbajtur të gjithë, pa përjashtim. Por, pa ndihmën e përkrahjen tuaj, nuk mund të arrijmë sukses. Pengimi i virusit është prioritet. Prandaj masa e kufizimit të lëvizjes është masë parandaluese, si dhe masat tjera për luftimin e virusit.

Në këtë luftë kundër virusit Covid 19, jemi bashkë, me të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, dhe ju, qytetarë të nderuar. Andaj, fitorja jonë kundër virusit fillon nga ju, ruajtja e shëndetit tuaj, të familjes tuaj. Kështu duke e penguar përhapjen e virusit, ju e ndihmoni sistemin tonë shëndetësor, mjekët dhe infermierët, kështu ju ndihmoni shtetin tonë.

Bashkëpunimi, mirëkuptimi, besimi, durimi, guximi dhe solidariteti, do të jenë tepër të domosdoshme për të gjithë neve, për ta fituar këtë luftë nga një armik si virusi.

Kushti i parë për sukses në këtë betejë, është të mos i japim hapësirë e mundësi virusit. Secili e ka në dorë ta kufizojë mundësinë e veprimit të tij, prandaj qëndro në shtëpi .

Mjekët, infermierët, stafi teknik, Policia e Kosovës, Inspektoratet qendrore, Inspektoratet komunale, Shtabet emergjente, donatorët vendorë dhe ndërkombëtarë, janë në krye të detyrës. Mos ua vështirësoni atyre punën dhe vetes jetën. Edhe vendi ynë i ka mundësitë e kufizuara për numrin alarmant të të infektuarve.

Mos e shto numrin e të infektuarve nga pakujdesia apo moszbatimi i masave. Përfill masat për pengimin dhe luftimin e virusit.

Ne, bashkë, do ta fitojmë luftën me kontributin e secilit nga Ju. Bëhu pjesë e secilës betejë, duke respektuar masat, ta fitojmë luftën kundër Covid-19.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
14.11.2020 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Ferizaj  …