Bellanica: BBC mori vetëm dy minuta filmime, Basha mori kasetën me 45 minuta që dokumentonte masakrën e Krushës

15 nëntor 2020 | 23:48

Video e BBC-së e 4 prillit 1999 sensibilizoi botën për masakrën e serbëve ne Krushë të Madhe të Kosovës. Por, BBC transmetoi vetëm 2 minuta të videos, e cila kishte 45 minuta xhirime.

Ky ishte edhe shkaku që UNMIK iu drejtua me urgjencë Krushës së Madhe për të kontaktuar Milaim Bellanica që kishte parë nga afër masakrën e serbëve dhe që kishte marrë guximin duke rrezikuar jetën, duke e dokumentuar atë me pamje filmike. Kjo është deklarata e Milaim Bellanica ne prill te vitit 2019 për insajder ne lidhje me materialin qe kishte xhiruar.

“Në BBC për herë të parë është transmetuar. E ka pas e ka marr kopjen, unë mandej origjinalin ia kam dhënë Lulzim Bashës”, tha Bellanica.

Më tej ai rrëfen edhe takimin që pati me dërgatën e UNMIK ku pjesë e saj ishte Lulzim Basha.

“A je Milaim Bellanica ti? I thash po. A ban me zbrit poshtë? Kam zbrit poshtë dhe më kanë çuar në sallone si kuzhinë. Prej atij momenti deri në 6 të mëngjesit deklarata që më kam dëshmuar më kanë filmuar si dëshmi dhe ia kam dërguar. Ata kanë marrë kopjen origjinale që ia kam dhënë Lulzim Bashës. Basha ka qenë përkthyesi i gjyqit të Hagës, ai ka ardhur bashkë me të. Ka qenë një Raxha Morgen, indian ishte me të, nuk e harroj kurrë emrin e  tij. Me të kam biseduar se unë ia jap kasetën, por me më larguar prej këtu. Edhe pse Gjykata e Hagës nuk e bën një gjë të tillë më ndihmuan. Ata nuk bënë atë që më premtuan. Më lanë në Shqipëri dhe më lanë në mjerim”, tha Bellanica.

Përveç këtyre minuta të shkurtra asnjë provë tjetër nuk ekziston, pasi kaseta tronditëse e Bellanicës, origjinali ndodhet në duart e Bashës, të paktën siç deklaron vetë dëshmitari Bellanica në dëshminë e tij së fundmi dhe për Top Channel pasi kryedemokrati publikisht disa ditë më parë mohoi se ta ketë takuar Bellanicën, e madje ta ketë marrë kasetën me dëshminë.

“Lulzim Basha ti shumë mirë po flet ama ti e di shumë mirë që e ke atë xhirim që unë e kam bërë vete, kur ke ardhur në Kukës ke ardhur me helikopter dhe më ke thanë më mirë ruhen tek unë si punëtor i Hagës. Unë po befasohem qysh po mundesh me thanë që po gënjej personi që jam adekuat, jam gjallë, mua më ke drejtë për së drejti unë nuk të iki ty, ti je ka ik nga unë”, tha i për Top Channel.

Por këto pamje janë zhdukur dhe për këtë enigma mbetet për videon ku pretendohet se janë viktima 255 banorë të zonës së Krushës. Ne intervistën e 2019-es Bellanica  përmend edhe emra serbë, por që tashmë nuk mund të faktohen pasi kaseta është zhdukur dhe se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës nuk po merret me krimet e serbëve, duke e fokusuar betejën në ndëshkimin e atyre që luftuan për çlirimin e Kosovës, ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për të ndjekur video kronikën, klikoni KËTU.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendës-trajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, ka deklaruar pas humbjes nga…