Zgjedhjet e reja, të pashmangshme

16 nëntor 2020 | 10:47

Pas zhvillimeve të fundit në Kosovë, ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së, ka filluar të diskutohet si ide shkuarja e vendit në zgjedhje të reja parlamentare. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet e reja duhet të mbahen sa më parë. Edhe deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, ka thënë se qeveria Hoti duhet sa më parë të ikë. Të mendimit për zgjedhje të reja janë edhe analistët politikë Shkëlzen Maliqi dhe Belul Beqaj, të cilët kanë vlerësuar se zgjedhjet e reja në Kosovë janë të pashmangshme. Ata kanë theksuar se vendit i duhet një qeveri më e gjerë

Mal QORRAJ

Përfaqësues të partive politike në vend dhe analistë kanë folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare, pas zhvillimeve të fundit, të ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare po shihet si mundësi e pashmangshme.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë të dielën se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të reja. “Besojmë se zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë, meqenëse çdo ditë e humbur është ditë e fituar për të korruptuarit dhe një ditë më pak për qytetarët e vendit tonë. Jemi të interesuar që këto zgjedhje të jenë të një ore më parë apo qysh thotë populli, qysh dje, por kjo nuk varet vetëm prej Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka 31 deputetë, që janë të pamjaftueshëm pa të tjerët për të shkaktuar zgjedhje të reja përmes rrëzimit të kësaj qeverie”, ka thënë Kurti të dielën në një konferencë për media.

Ai ka thënë se pas zgjedhjeve të reja duhet ta kemi edhe presidentin e ri. “Ne konsiderojmë se nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet. Presidenti ose presidentja e re duhet ta përfaqësojë unitetin e popullit dhe kjo nuk mund të bëhet në kushtet kur kemi qeveri të paligjshme. Unë nuk kam pasur takime për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Kosova ka ushtrues detyre të presidentit, pra nuk është e zbrazët ajo karrige edhe për së paku gjashtë muaj teorikisht në bazë të Kushtetutës sonë, por pas zgjedhjeve të reja, mund të kemi president të ri, dhe qeveria e vjetër nuk e ka as legjitimitetin, as autoritetin, as kredibilitetin për iniciativa të tilla”, ka thënë Kurti, raporton “Epoka e re”.

Ndërkaq deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, thënë se arroganca dhe injoranca e kësaj qeverie ka bërë që vendi ynë tash e sa kohë të mbetet pa pako ekonomike, e cila do t’i adresonte problemet me pandemi e ekonomi. Për më tepër, në vend se t’i ndihmojë bizneset, kjo qeveri ka vendosur ta mbyllë përsëri vendin. Duke parë keqmenaxhimin e situatës, deputeti Gashi ka thënë se kjo qeveri sa më parë duhet të ikë. “Pra, është një qeveri që duhet të shkojë në shtëpi sa më herët, sepse është e paaftë për të qeverisur dhe për ta menaxhuar pandeminë dhe ndihmuar ekonominë”, ka thënë Gashi.

Për shkuarje në zgjedhje të reja ka kërcënuar edhe partia e Ramush Haradinajt, AAK-ja, nëse lideri i saj nuk zgjidhet president. “Jam ofruar si kandidat për president nëse ka vlerësim, e nëse ky vlerësim vjen, ende jemi këtu, nëse jo, pas këtyre zhvillimeve, zgjedhjet janë zgjidhja”, ka thënë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kurse kryeministri Avdullah Hoti javën e kaluar ka komentuar zhvillimet në vend. Ai ka thënë se partitë politike duhet të ulen së bashku dhe të gjejnë zgjidhje për president ose të pajtohen për datën e zgjedhjeve të reja. “Paritë duhet të ulen bashkë për zgjedhjen e presidentit të ri ose duhet të merren vesh për zgjedhje”, ka thënë Hoti.

Edhe analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se zgjedhjet e reja në Kosovë janë të pashmangshme. Ai ka thënë se vendit i duhet një qeveri më e gjerë. “Mendoj se zgjedhjet janë të pashmangshme, por jo menjëherë dhe jo as në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe duhet një lloj stabilizimi i brendshëm i raporteve. Koalicioni më i gjerë qeverisës do të mund të kontribuonte në këndellje, por me premtim që të mbahen zgjedhjet e reja pasi që të krijohen kushtet më të volitshme. Po kështu, një qeveri më e gjerë na duhet edhe për shkak të dialogut, të cilin nuk duhet ta lëshojmë me fajin tonë ose duke çuar inate, për arsye se ende ka një fije arsye të besohet se edhe BE-ja dëshiron që ta mbyllë dialogun me sukses dhe njohje të ndërsjellë. Duhet të jemi të kujdesshëm në kërkesat për ndërprerjen e dialogut, të paktën derisa nuk kemi një qeveri të re funksionale në ShBA”, ka thënë Maliqi për gazetën “Epoka e re”.

I pyetur se si duhet të sillen partitë politike në raport me sfidat që ka vendi, kur dihet se Gjykata Speciale ka lënë Kosovën pa president dhe ka sjellë një përplasje të partnerëve të koalicionit qeverisës, Maliqi ka thënë se partitë politike po sillen në mënyrë krejtësisht të gabuar. “Në kohën e pandemisë partitë politike po sillen në mënyrë krejtësisht të gabuar dhe pa koordinim substancial që diktohet nga interesi vital i mbrojtjes së shëndetit kombëtar dhe ekonomisë së shtetit dhe kështu po vazhdojnë edhe në raport me gjykimin në Hagë. Mirëpo, besoj se situata do t’i kthjellë shpejt, sepse nuk ka më hapësirë manovruese për konfrontimet që në plan të parë nxjerrin interesat e partive, të grupeve dhe të liderëve të caktuar, e jo ato të përgjithshme”, ka deklaruar Maliqi.

Politologu Belul Beqaj ka thënë se sjelljet e opozitës ia kanë mundësuar mbijetesën qeverisë përkundër faktit se shumica absolute e qytetarëve është e pakënaqur me qeverisje. “Unë pres që pakënaqësia e shtresuar ndër vite, që po kulmon me keqqeverisje aktuale, t’i nxisë zgjedhjet si mundësi e ndryshimit të politikëbërjes dhe politikanëve”, ka thënë Beqaj.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka theksuar se e përkrah nismën e kryeministrit Avdullah Hoti për konsultime me subjektet politike për të gjetur mënyrë për zgjedhje të presidentit të Kosovës dhe nëse nuk merren vesh atëherë të caktohet data për zgjedhje të reja. “Në rrethanat aktuale KMDLNj vlerëson se nuk ka kushte për zgjedhje të reja andaj dyshon edhe në arsyeshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar komune në Podujevë dhe në Mitrovicë.  KMDLNj kërkon unitet të subjekteve politike dhe jopolitike të Kosovës për tejkalimin e situatës që është shumë e rëndë dhe vetëm pastaj të bisedohet për zgjedhje eventuale. KMDLNj, mbështetur në situatën shumë të rëndë të shkaktuar nga Covid-19, vlerëson se pas konsultimit të subjekteve politike mund të caktohet një kandidat konsensual për president të Kosovës, pa pasur nevojë të shkaktohet krizë institucionale. Në këto rrethana nuk ka kushte as për rrëzim të qeverisë e as për zgjedhje të parakohshme. Në rastin më të mirë, nëse ka marrëveshje të subjekteve politike për zgjedhje të parakohshme, ato nuk mund të mbahen para muajit qershor 2021”, ka theksuar KMDLNj në një komunikatë për media.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha, ishte njëri nga më meritorët…