UÇK-ja s’ka qenë kurrë një ndërmarrje kriminale, Vuçiqi nuk është njeri i paqes
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmira Mullhaxha-Kollçaku, ka thënë se Albin Kurti, gjithmonë është prononcuar për Gjykatën Speciale dhe akuzat që ajo ka ngritur, ndërsa ka shtuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk është njeri i paqes.
“E para është botërisht e njohur që Kurti ka qenë i infektuar me Covid dhe më shumë se dy javë ka qëndruar i karantinuar. Kurti së paku është tepër ballëhapur, sidomos në raport me Gjykatën Speciale dhe kjo nuk po ju pëlqen shumë aktorëve politikë në Kosovë”.
“Lufta me Serbinë, ishte një luftë e drejtë dhe çlirimtare. Gjatë këtyre viteve, Albin Kurti dhe pjesëtarët e tjerë të Vetëvendosjes e kanë pasur të qartë këtë gjë dhe janë prononcuar ndër vite. Habitem me këto konstatime dhe kush vonoi dhe kush nuk vonoi në reagim”, ka thënë ajo.
Mullhaxha-Kollçaku ka thënë se UÇK-ja, nuk ka qenë kurrë një ndërmarrje kriminale.
“Krejt ajo që po shohim është se duan të shtrembërojnë ato çfarë ka ndodhur. Ne nuk kemi pasur ndërmarrje kriminale, po kemi pasur bashkim të qytetarëve. Ne nuk kemi pasur një ushtri, po qytetar që janë përballur me një agresor, që u është dashur të mbrojnë familjet e tyre. Gjërat janë tepër të qarta”, ka deklaruar ajo.
“Serbia dëshiron plotësisht ta ndryshojë edhe historinë. Ne e dimë kush është Vuçiqi, ai nuk është njeri i paqes”, ka thënë Mullhaxha-Kollçaku për “Euronews Albania”.