Lojërat Olimpike me spektatorë

16 nëntor 2020 | 16:44

Kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, të hënën shprehu besimin se Lojërat Olimpike të Tokios do të mbahen vitin e ardhshëm, madje edhe duke lejuar spektatorët të marrin pjesë, pavarësisht nga një rritje e mprehtë e numrit të njerëzve të infektuar me koronavirus në të gjithë botën, shkruan “Reuters”.

Vizita dyditore e Bachit në Tokio ka të ngjarë t’i forcojë përpjekjet e Japonisë për t’i mbajtur Lojërat Olimpike, pavarësisht prej shqetësimeve të publikut për përhapjen e virusit, njoftoi agjencia e lajmeve “Fena”.

Bach u takua me kryeministrin e ri japonez Yoshihide Suga të hënën dhe i tha guvernatorit të Tokios, Yuriko Koike, se ata mund të jenë të sigurt se vaksina do të jetë në dispozicion deri në verën e ardhshme. KON-i do të sigurojë që vaksinimi i pjesëmarrësve dhe vizitorëve në lojëra të sigurohet para mbërritjes së tyre në Japoni, shtoi ai. “Në mënyrë që ta mbrojë popullin japonez dhe nga respekti për popullin japonez, KON-i do të bëjë përpjekje të mëdha për t’i vaksinuar pjesëmarrësit dhe vizitorët në Lojërat Olimpike, nëse vaksina është e disponueshme deri në atë kohë”, ka thënë ai.

KON-i tani është “shumë i bindur” se spektatorët do të jenë në gjendje t’i ndjekin lojërat. Temat kryesore të diskutimit të tij me organizatorët e lojërave përfshijnë nëse prania e spektatorëve do të lejohet dhe çështja e akomodimit të më shumë se 11 000 atletëve, të cilët vijnë nga e gjithë bota. Vizita e Bachit është e para në kryeqytetin japonez qëkur ai dhe ish-kryeministri Shinzo Abe vendosën në mars t’i shtyjnë lojërat 2020 për një vit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald…