Mustafa: Gjykatën Speciale nuk e bëri Basha e Berisha, por Kuvendi i Kosovës

17 nëntor 2020 | 13:21

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, i ka dalë në mbrojtje liderit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, në lidhje me akuzat e fundit për çështjen e dosjeve kundër UÇK-së.

Mustafa ka thënë se as Basha e as Sali Berisha nuk e kanë themeluar Gjykatën Speciale.

“Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte”, ka shkruar Berisha në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Mustafës:

Të nderuar qytetarë,

Shqipëria i doli në krah Kosovës në kohët më të vështira rrugën e saj të çlirimit dhe shtetndërtimit, si gjatë qeverisjes së demokratëve ashtu edhe të socialistëve. Nëntë vite kam qenë në ekzil, nga viti 1990 deri më 1999, dhe e kam përjetuar Shqipërinë si shtëpinë time, shtetin tim.

E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjesëtarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të së vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më parë.

Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte.

Për ne duhet të ketë qenë nder prezenca e shqiptarëve nga Shqipëria në misionin e UNMIK-ut, sikurse edhe e kosovarëve. Ka qenë ndihmë specifike.

Baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duhet të pushojnë sulmet e tilla, sepse po na dëmtojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Emrush Xhemajli, veprimtari e udhëheqësi i madh ilegal…