Evropianët i shpenzojnë paratë për t’u argëtuar, shqiptarët për t’u ushqyer
Konsumatorët shqiptarë shpenzojnë pothuajse gjysmën e parave që kanë në dispozicion për t’u ushqyer.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, rreth 41.1% e shpenzimeve shkuan për ushqime. Kjo peshë është më e larta në rajon dhe në Europë dhe është një tregues direkt i të ardhurave të ulëta dhe i çmimeve relativisht të larta. Kosova shpenzon 34% për ushqime, Maqedonia e Veriut 33%, Bosnja 29%, Mali i Zi 23.5, Serbia 23.6%, sipas Eurostat.
Eurostat ka publikuar së fundmi edhe të dhënat e reja për strukturën e shpenzimeve për familjarët për vitin 2019. Ndryshe nga rajoni, familjet europiane shpenzojnë më pak për t’u ushqyer. Për vitin 2019, kjo peshë është 13%, ndonëse në rritje me 1 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm. Shteti europian që shpenzon më shumë për ushqime është Rumania (26%) dhe më pak Mbretëria e Bashkuar (vetëm 8%)
Buxhetin më të madh familjet europiane e kanë për “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar”, me 23.5% të totalit, përkundrejt 10.1% në Shqipëri.
Duke shpenzuar më pak për ushqime, familjeve në Europë u mbeten më shumë të ardhura për t’u argëtuar dhe për të udhëtuar. Europianët shpenzojnë më shumë për t’u argëtuar dhe kulturë, me 8.7% të totalit, përkundrejt 3.8% në Shqipëri, edhe për transport Europa shpenzon 13% të buxhetit, ndërsa Shqipëria më pak sesa 6%. Edhe për restorante raporti është 8.7% për Europën dhe 4.9% për Shqipërinë.
Por, nëse ka një shpenzim për të cilin shqiptarët nuk kursehen ato janë veshjet, me 5.2% të totalit, përkundrejt 4.6% të mesatares europiane. Shteti që shpenzon më shumë për veshje në Europë është Rumania (6.8%) e totalit, i ndjekur nga Estonia (6.3%), Italia (5.9%) dhe më pak Islanda (3.3%).
Për shëndet, shpenzimet janë pothuajse të ngjashme (4.3% dhe 4.4%), ndërkohë që një vit më parë ishin shqiptarët ata që shpenzonin më shumë për shëndet, por në 2019-n, kjo kategori është rritur dhe për europianët.
Arsimi u kushton shumë më shtrenjtë shqiptarëve se europianëve. Një familjeje i duhet të shpenzojë 3.1% të totalit për të arsimuar fëmijët, ndërsa për një familje europiane, kjo peshë është më pak se 1% (0.9%).
Edhe për komunikim, shqiptarët shpenzojnë më shumë (3.7%, kundrejt 2.4%)./Monitor