Gjykata e Lartë rrëzon padinë e republikanëve për zgjedhjet në Pensilvani

09 dhjetor 2020 | 09:02

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë të martën kërkesën e republikanëve që kërkonin përjashtimin e rreth 2.5 milion fletëve votimi me postë në Pensilvani.

Përmes një njoftimi të shkurtër Gjykata e Lartë hodhi poshtë një kërkesë nga Kongresmeni Mike Kelly, një aleat  Trump, dhe republikanë të tjerë nga Pensilvania, të cilët hapën një çështje gjyqësore pas zgjedhjeve të 3 nëntorit me argumentin se zgjerimi i votimeve me postë në atë shtet ishte i paligjshëm në bazë të ligjit të atij shteti.

Pensilvania ishte një nga shtetet e rëndësishme në zgjedhjet presidenciale, ndërsa demokrati Biden mundi republikanin Trump, i cili e kishte fituar këtë shtet në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Zyrtarët e shtetit e kishin çertifikuar tashmë rezultatin e zgjedhjeve.

Nuk ka njoftime për mospajtime mes anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila ka një shumicë konservatore 6-3 përfshi tre të emëruar nga Presidentit Trump. Trump i pati kërkuar Senatit të udhëhequr nga republikanët që të konfirmojnë të emëruarin e tij të fundit, gjykatësen Amy Coney Barret, para ditës së zgjedhjeve, në mënyrë që ajo të merrte pjesë në çdo çështje të lidhur me zgjedhjet.

Presidenti Trump ka pretenduar se ai ka fituar rizgjedhjen, duke ngritur akuza të pabazuara për manipulime të përhapura në votime në disa shtete, përfshirë Pensilvaninë. Demokratët dhe kritikë të tjerë e kanë akuzuar Presidentin Trump se po synon të zvogëlojë besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve amerikane dhe të minojë demokracinë duke u përpjekur të përmbysë vullnetin e votuesve.

“Zgjedhjet kanë mbaruar. Duhet ta ndalojmë këtë cirk procesesh gjyqësore dhe të ecim përpara,” tha Prokurori i Përgjithshëm i Pensilvanisë Josh Shapiro, një demokrat, përmes një postimi në Twitter.

Biden  fitoi në Pensilvani me një epërsi prej 80 mijë votash dhe mori një përqindje më të lartë të votave me postë se zoti Trump. Shumë më tepër njerëz votuan me postë këtë vit si rezultat i shqetësimeve nga koronavirusi ndërsa u përpoqën të shmangin turmat në qendrat e votimit.

Gjykata e Lartë e Pensilvanisë e hodhi poshtë sfidën me 28 nëntor, duke thënë se padia nuk ishte paraqitur në kohën e duhur kur u miratua ligji i votimit me postë. Gjykata e hodhi poshtë vendimin e një gjykate më të ulët e cila kishte dhënë urdhër që shteti të mos çertifikonte zgjedhjet në pritje të një seance.

Biden ka marrë 306 vota elektorale, duke tejkaluar cakun prej 270 votash të nevojshme, krahasuar me  Trump i cili ka marrë 232 vota në Kolegjin Elektoral i cili përcakton rezultatin e zgjedhjeve. Biden fitoi gjithashtu votën popullore me më shumë se 7 milionë vota./abcnews.al

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Një raport nga një media ruse pretendon se Kremlini…