Krushjanët kërkojnë të rigjykohet Darko Tasiqi

11 dhjetor 2020 | 14:29

Përfaqësues të fshatrave Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël kanë mbajtur sot takim me deputetët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Nga deputetët dhe nga Avokati i Popullit ata kanë kërkuar që të angazhohen që rasti i Darko Tasiq të kthehet në rigjykim, derisa uljen e dënimit nga Gjykata e Apelit e kanë quajtur zhgënjyes.

Kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, ka kërkuar që secilës shoqatë të familjarëve të të zhdukurve të angazhohen avokatë, pasi që tha se është mënyra e vetme për të dërguar kriminelët në burg.

“Vetëm në Krushë të Madhe 241 qytetarë u masakruan. Nga kjo masakër kanë ngelur shumë fëmijë jetim. Kurrë nuk u prangosën kriminelët. Jemi këtu për uljen e dënimit të Darko Tasiq nga Krusha e Vogël. Ne nuk duam ndërhyrje në drejtësi, ne duam që të dimë për secilin anëtarë të familjes kanë”.

“Krushjanët kërkojnë nga ju deputetë të nderuar, Puna e parë që mund ta bëni që për secilën shoqatë të angazhoni avokat, e cila na siguron për të dërguar kriminelët para gjykatës. Ne duam vetëm drejtësi, le të jetë kudo në botë. Po ju lus të siguroni avokat për ne. Një lutje mos flisni për të pagjeturit politikisht”, ka thënë Hoti.

Ndërsa Gani Zylfiu, kryetari i fshatit Krushë e Vogël, ka thënë se janë të zhgënjyer me uljen e dënimit nga Gjykata e Apelit për Darko Tasiq, shkruan “Ksp”.

“Kemi qenë të zhgënjyer që krimineli Darko Tasiq u dënua me 22 vite burg, zhgënjimi i dytë ishte ulja e dënimit. Kemi ardhur për të kërkuar ndihmë nga ju. Jam një nga ata dëshmitarët e krijimit që e ka bërë Darko Tasiq. Zhgënjimet tona me uljen e dënimit janë të mëdha. Një vrasje po dënohen me 20 vite, ndërsa një kriminel, sot Gjykata e Apelit e solli në 12 vite, pas disa viteve jam i bindur se do të lirohet”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Fahrije Hoti, nga Krusha e Madhe, ka kërkuar që deputetët dhe Avokati i Popullit të angazhohen që të ketë rigjykim për Darko Tasiqin, për çka tha se duhet ta marr dënimin e merituar.

“Fatkeqësisht kjo është Kosova dhe kjo është drejtësia. Kisha kërkuar që te rigjykohet edhe një herë ai rast, le ta merr dënimin e merituar”, ka thënë ajo.

Më tutje, Avokati i Popullit Naim Qelaj, ka bërë me dije se, “nga vlerësimet që kam gjetur konsideroj si shtet dhe si shoqëri kemi bërë pak në këtë drejtim dhe nuk mund të jemi të kënaqur”.

Kurse nënkryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Besa Ismaili, ka thënë se me çështjen e të pagjeturve nuk bëjnë politikë.

“Ne nuk bëjmë politikë me këtë çështje, bëjmë shumë trysni tek politikanët që ta trajtojnë këtë çështje”, ka thënë ajo, duke shtuar se në lidhje me kërkesën që ky rast të rikthehet në rigjykim do ta ftojnë në raportim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Tottenham, Dele Alli, është shumë pranë largimit nga…